Rezultatet përfundimtare për Kuvende Komunale: LDK e para me 170 mijë e 134 vota

Rezultatet përfundimtare për Kuvende Komunale: LDK e para me 170 mijë e 134 vota

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare për Kuvende Komunale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike ka marrë më së shumti vota, rreth 170 mijë e 134, duke bërë kështu që të  ketë 206 këshilltarë komunalë në gjithë vendin, përcjell Insajderi.com.

Kurse, sipas rezultateve, sa i përket numrit të votave e dyta është Lëvizja Vetëvendosje me 168 mijë e 84 vota dhe 193 ulëse për këshilltarë komunalë.

Ndërkaq, e treta është Partia Demokratike me 161 mijë e 645 vota dhe me 206 asambleistë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë nëntë mijë e 863 vota dhe do të ketë 120 asambleistë, Nisma Socialdemokrate ka marrë 18 mijë e 455 vota dhe do të ketë 21 ulëse për këshilltarë komunalë.

Tutje, Aleanca Kosova e Re do të përfaqësohet me tetë asamblistë në nivel vendi me 19 mijë e 277 vota, kurse Lista e Pavarur “Bekim Jashari” në Skënderaj ka marrë gjashtë mijë e 694 vota dhe do të ketë 10 ulëse.

Lista Serbe do të ketë 147 këshilltarë komunalë në komunat në të cilat ka garuar ku ka marrë rreth 53 mijë e 342 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale, që u mbajtën më 17 tetor 2021,

KQZ ka bërë të ditur se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, në afat prej 24 orësh, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa./Insajderi.com