RGB Vdiq! Një mundësi për një hap të madh drejt shoqërisë organiciste me Amy Coney Barrett

Ndjekja e iluzionit feminist neomarksist të Valës së Tretë të feminizmit i ka dëmtuar rëndë gratë anembanë shoqërive perëndimore dhe rrezikon të sjellë pasoja të ngjashme edhe mes ne shqiptarëve. Sot rrjetet sociale dhe media janë të mbushura me rrëfenjat e grave të suksesshme në karrierë që çojnë jetë të mjera, pa fëmijë, pa familje por rrethuar me tufa qensh e macesh. Ato vuajnë nga vetmia, depresioni dhe brenga se kanë jetuar jetë të zbrazëta dhe të pakuptimta. Kur idetë e dështuara zëvendësojnë thelbin tonë biologjik, ne shndërrohemi në krijesa të dështuara në trupin biologjik të shoqërive të dështuara.

RGB Vdiq! Një mundësi për një hap të madh drejt shoqërisë organiciste me Amy Coney Barrett

Ridvan Peshkopia

RGB vdiq ashtu siç jetoi: një ideologe e betuar dhe e papenduar deri në fund (dhe bashkë me të vdiq edhe mundësia që demokratët të vjedhin zgjedhjet e 3 Nëntorit me votimin postar).

Ndonëse kishte vite që nuk funksiononte më si anëtare e SCOTUS-it, ajo vazhdonte ta mbante detyrën e saj vetëm që mos u jepte republikanëve mundësinë ta zëvendësonin atë me një gjykatës origjinalist, dikë që interpreton kushtetutën për atë çka është e shkruar dhe nuk e përdor pozicionin e vet për të krijuar ligje (aktivizëm gjyqësor) nëpërmjet interpretimit të kushtetutës dukshëm ndryshe nga përmbajtja e saj origjinale deri aq sa interpretimi të duket si një ligj i ri.

Kjo detyrë i takon legjislativit si përfaqësues i vullnetit të popullit.

Prej pesë dekadash, neomarksistët e kanë brrejtur demokracinë liberale nëpërmjet korruptimit të sistemit të drejtësisë, duke na dhënë evidencë të qartë se demokracia liberale nuk është e aftë të mbrojë veten e vet dhe qytetarët e vet kur ajo goditet në zemër të saj, pavarësia gjyqësore, nga forcat reaksionare të kolektivist-strukturalizmit siç janë socializmi, komunizmi, fashizmi, nazizmi, feminizmi, anarkizmi & co. Vendime të tilla për jetë a vdekje si aborti apo dënimi me vdekje në Perëndim nuk janë marrë nga legjislativi, siç do duhet të funksionohej në një vend demokratik, por nga sistemi gjyqësor, i cili, duke përqafuar aktivizmin gjyqësor, ka bërë ligjin në vend që ta zbatojë atë.

Le të marrim shembullin e Shqipërisë. Në Shqipëri, dënimi me vdekje është hequr në vitin 2000 jo nga Kuvendi, siç do të duhej të ndodhte, por nga Gjykata Kushtetuese, duke interpretuar një nen të kushtetutës ku thuhej se “jeta e njeriut mbrohet me ligj.” Ky interpretim qesharak (po, e vërtetë, jeta e njeriut mbrohet me ligj dhe dënimi me vdekje është një ligj i tillë i cili synon të mbrojë jetët e njerëzve të pafajshëm nga kriminelët) nuk kishte të bënte aspak me ligjin: ai ishte veçse një nënshtrim ndaj kushteve të Këshillit të Europës për antarësim.

Me nënshtrimin për heqjen e dënimit me vdekje, Shqipëria iu bashkua marrëzive ideologjike perëndimore të luftës kundër popullsisë së vet. Legalizimi i abortit i kishte paraprirë tashmë. Shqipëria, e cila e kishte trefishuar popullsinë e saj gjatë 40 vjetëve të fundit, tani filloi të humbë popullsi nga krimi dhe aborti. Kur trupi biologjik i një shoqërie është i sëmurë, kur ai ka humbur aftësinë për t’u mbrojtur nga sëmundjet ideologjike dhe nuk është i aftë të riprodhohet, ai trup rrezikon të vdesë. Gjermania ka vendosur ta zgjidhë këtë problem duke importuar sirianë, afganë dhe afrikanë. A mos është kjo e ardhmja edhe për Shqipërinë? Kur jemi infektuar në formën më të rëndë nga një sëmundje e tillë perëndimore si komunizmi, pse do të duhej të ishim të imunizuar ndaj liberalizmit? Apo mos duhet të ndjekim shembullin e Hungarisë, e cila me sukses ka rritur mbijetesën e familjes, rritur pjellorinë e popullsisë dhe kufizuar abortin? Kur shoqëri perëndimore rrezikojnë të vdesin biologjikisht (apo të transformohen në trajtja biologjike të panjohura), a do ta lidhim ne fatin tonë biologjik me marrëzinë perëndimore? 120 vjet më parë, parardhësit tanë injorantë e lidhën deri në fund qerren e tyre me një qytetërim që po vdiste, Perandorinë Osmane. Ne sot e kemi lidhur verbërisht qerren tonë me një qytetërim që po vdes: Qytetërimin Perëndimor.

Modeli ynë nuk duhet të jenë shoqëritë e kalbura të Gjermanisë e Francës por ndoshta më shumë shoqëritë në lulëzim të Hungarisë dhe Polonisë. Në të vërtetë, modeli ynë duhet të jetë vetvetja, krijimi i një qytetërimi origjinal shqiptar i mbledhur rreth shoqërisë organike. Ne duhet të rritemi kur të tjerët zvogëlohen; ne duhet të shtohemi kur të tjerët tkurren; ne duhet të mblidhemi së bashku kur të tjerët shpartallohen. Ne duhet të bashkohemi rreth shoqërisë tonë shqiptare, organizmit tonë biologjik kombëtar shqiptar.

Ndjekja e iluzionit feminist neomarksist të Valës së Tretë të feminizmit i ka dëmtuar rëndë gratë anembanë shoqërive perëndimore dhe rrezikon të sjellë pasoja të ngjashme edhe mes ne shqiptarëve. Sot rrjetet sociale dhe media janë të mbushura me rrëfenjat e grave të suksesshme në karrierë që çojnë jetë të mjera, pa fëmijë, pa familje por rrethuar me tufa qensh e macesh. Ato vuajnë nga vetmia, depresioni dhe brenga se kanë jetuar jetë të zbrazëta dhe të pakuptimta. Kur idetë e dështuara zëvendësojnë thelbin tonë biologjik, ne shndërrohemi në krijesa të dështuara në trupin biologjik të shoqërive të dështuara.

Një mundësi e re shfaqet dhe ajo është në favor të shoqërisë organiciste, shoqëria që nuk i vret fëmijët e vet, shoqëria që i mbron antarët e vet. Duke kombinuar kandidaturën e mrekullueshme të Emi Koni Barretit [Amy Coney Barrett], vendosmërinë e Presidentit Tramp dhe përllogaritjet politike të njerit nga politikanët më të talentuar sot në botë (senatorit nga shteti im i Kentakit) Miç Mekonell [Mitch McConnell], shpresojmë që ShBA (dhe bota) do kemi në SCOTUS këtë grua të jashtëzakonshme.

Një grua e rrallë, e cila ka mundur të lindë e rrisë shtatë fëmijë teksa njëkohësisht zhvillonte një karrierë të suksesshme në sistemin e drejtësisë amerikane, ACB është tmerri i feministeve. Ajo rrënon narrativën e tyre se liria e grave mund të arrihet vetëm duke i penguar ato të jenë nëna. Synimi i neomarksizmit feminist, ashtu si edhe i vetë marksizmit, ka qenë gjithmonë vrasja biologjike e Qytetërimit Perëndimor. Këtë vrasje feminizmi përpiqet ta arrijë duke ndërtuar narrativën e rremë të Shulamith Fajrstonit [Shulamith Firestone] se lindja e fëmijëve skllavëron gratë, e kësisoj ofrojnë kontraceptivët, beqarinë dhe abortin si zgjidhje. Moslindja e fëmijëve nuk e pati çliruar vetë Fajrstonin nga demonët e vet, dhe ajo vazhdon ta jetojë jetën e vet nga njera çmendinë e Kanadasë në një tjetër. Ndonëse evidenca empirike tregon se pasojat psikologjike të abortit te gratë (dhe madje edhe te burrat e tyre) shpesh janë të pashlyeshme dhe të përjetshme, për feministet e Valës së Tretë, shpartallimi (biologjik) i Qytetërimit Perëndimor dhe jo të drejtat e grave është përparësia permptore ideologjike. Gjysma e foshnjave të abortuara (dhe në Shqipëri, për shkak të abortit selektiv, më shumë se gjysma) janë femra.

Degjenerim i tillë biologjik si kufizimi i aftësisë dhe madje edhe i lirisë së gravë për t’u bërë nëna (e madje edhe për t’u sjellë në jetë, siç u ndodh foshnjeve femra që bien viktimë e abortit) synon t’i shndërojë gratë nga roli i tyre organik dhe fuqiplotë i mbajtjes gjallë të organizmit tonë biologjik në ushtare të revolucionit kulturor maoist. Nëpërmjet mëmësisë, biologjia e ka fuqizuar dhe jo dobësuar gruan; nëpërmjet mëmësisë, natyra i ka dhënë gruas çelësin e mbijetesës tonë. Rrëmbimi i këtij çelësi nga feministet neomarksiste nuk ka synim çlirimin e gruas por shfarosjen e Qytetërimit Perëndimor. ACB është shembulli i madh i gjallë se organizmi ynë shoqëror biologjik ende nuk është i gatshëm të dorëzohet pa luftë.

Ja edhe lidhëza për tek artikulli im i bashkëautoruar i botuar në 2008 në xhornalin akademik The International Journal of Human Rights ku ne argumentojmë se institucionalizimi i normave nuk do të thotë socializim me normat dhe se heqja e dënimit me vdekje me presion nga Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian nuk do të thotë se njerëzit do heqin dorë nga aspirata e tyre për drejtësi të formës që ofron dënimi me vdekje.

Ridvan Peshkopia është Lektor i Metodave Kërkimore në Universitetin për Biznes dhe Teknologji Kosovë. Ai e ka marë doktoraturën në shkenca politike nga Universiteti i Kentakit në ShBA dhe ka qenë studiues post-doktoral në Universitetin Xhorxh Uashington. Fusha e tij e hulumtimit shtrihet gjërësisht në modelimet matematikore dhe statistikore të sjelljes politike.