Riatdhesohen mbi 1 mijë shqiptarë pa dokumente të rregullta qëndrimi

Riatdhesohen mbi 1 mijë shqiptarë pa dokumente të rregullta qëndrimi

Gjatë muajit shtator, autoritetet greke kanë kthyer në atdhe më shumë se 1000 shtetas shqiptarë që ndodheshin në Greqi. Policia vendase ka njoftuar se riatdhesimi është bërë pasi ata nuk kishin dokumente të rregullta qëndrimi.

Saktësisht , njofton policia se janë kthyer 1088 shtetas shqiptarë. Përveç shqiptarëve, autoritetet greke kanë kthyer edhe shtetasit nga Pakistani (185), nga Iraku (90) e me radhë, nga Algjeria, Maroku dhe Irani.

Vetëm për shqiptarët arsyeja e largimit është mungesa e dokumenteve të rregullta, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera kanë marrë përgjigje negative ndaj kërkesës për azil.

Sipas njoftimit të policisë greke, në radhët e shtetasve shqiptarë ka dhe nga ata që nuk kanë mundur të rinovojnë sërish lejen e qëndrimit. Njëkohësisht policia thotë se ndaj këtyre personave janë marrë vendime largimi dhe deportimi.

Kthimi i emigrantëve në vendet e tyre, është një praktikë e filluar para dy vjetësh, që financohet nga Zyra Ndërkombëtare e Migracionit (IOM).

IOM mbështet ata emigrantë që kthehen vullnetarisht, në bazë të një programi që synon riintegrimin e tyre në atdhe.

Në zyrën e IOM për Greqinë thonë se ka pasur disa raste njerëzish në nevojë, si një fëmijë, një grua e keqtrajtuar, një invalid, një i sëmurë, një i moshuar, që kanë pasur nevojë për ndihmë. Por theksojnë se, që të përfshihet dikush në këtë program, duhet më së pari të mos ketë dokumente të rregullta qëndrimi, shkruan gazeta Shekulli.

Sipas njoftimit të policisë greke, gjatë shtatorit u larguan 1598 persona.

Ndërsa që nga fillimi i vitit janë rikthyer në vendet e origjinës 13 980 persona dhe 80% e tyre vlerësohet se kanë qenë shqiptarë.