Rihapet Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok

Rihapet Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, të cilës iu vu flaka të shtunën, është rihapur të enjten e 30 shtatorit, njofton Shqip.com.

Siç bën të ditur Ministria e Punëve të Brendshme, pas sulmit të 25 shtatorit, kjo qendër është rihapur në objektin e stacionit policor në Zubin Potok.

“Pas sulmit në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në objektin e komunës, Ministria e Punëve të Brendshme sot ka ri-hapur Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në objektin e stacionit policor në Zubin Potok”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok

Me këtë rast, MPB ka bërë të ditur se puna në këtë qendër do të zhvillohet normalisht dhe se është e  gatshme që nga sot, t’iu ofrojë shërbime të gjithë qytetarëve.

“Ky është një objekt i adaptuar për të ofruar shërbime të menjëhershme qytetarëve që kanë nevojë për të marrë shërbime, deri në funksionalizimin e plotë të objektit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili u shkatërrua si pasojë e një sulmi kriminal, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës  me 20 shtator, për vendosjen e targave të përkohshme”, thuhet më tej në njoftim.

“Kjo është një ndërhyrje e shpejtë që kanë bërë zyrtarët e Agjencisë së Regjistrimit të MPB-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim që qytetarët e kësaj zone të mos mbesin pa shërbime”.

Vikendin e kaluar, është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar me granata qendra e regjistrimit  civil në Zveçan, por pasoja në njerëz nuk kishte.

Këto sulme ndodhën në ditën e pestë të bllokadës së rrugëve nga serbët lokal që po mbajnë të bllokuara për qarkullim edhe dy pikat kufitare Koosvë-Serbi në Jarinje dhe Bërnjak.

Serbët po kundërshtojnë masën e recipricitetit të vendosur nga qeveria e Kosovës lidhur me targat e veturave me regjistrime të Serbisë. /Insajderi.com