Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim që të shpallet e papërfunduar procedura penale në rastin e vrasjes së Agonis Tetaj, përcjell Insajderi.
Trupi Gjykues ka marrë vendim që të rihapet seanca e shqyrtimit gjyqësor, e gjithashtu të revokohet pranimi i fajësisë nga Shaban Gogaj.
Seanca tjetër për këtë rast do të mbahet më 21 prill 2021, teksa prokurori duhet të sjell prova të reja deri më 7 prill 2021.
Kjo u bë e ditur sot (e premte) në seancën gjyqësore nga kryetarja e turpit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Pejë më herët ia ka refuzuar kërkesën për përjashtim të trupit gjykues Isuf Tetajt, babait të Agonis Tetajt, i cili u vra në shtatorin e vitit 2018, në kompaninë “Gogaj Ag”.
Tetaj kishte kërkuar përjashtimin e trupit gjykues në trajtimin e rastit ku djali i tij mbeti i vrarë në vendin e punës nga i akuzuari Shaban Gogaj.
Ndryshe, babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, të mërkurën ka publikuar aktakuzën dhe videon e momentit të vrasjes së të birit, Agonisit.
Ai ka kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe ambasadorët e huaj në Kosovë, të vendosin drejtësi në rastin e vrasjes së djalit të tij.
Krejt kjo ka ndodhur si pasojë e rikualifikimit të veprës penale nga prokurori i rastit, Agron Ukaj, nga “Vdekje e rëndë” në “Vdekje nga pakujdesia”./Insajderi.com