
Në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë rikthyer barrikadat e serbëve lokalë.
Kjo pas aksionit në Veriun e Kosovës të Policë kundër kontrabandës me mallra.
Por, plani operativ i Policisë u pengua pasi rrugët kryesore u bllokuan.
Përmes një kumtese, Policia ka treguar se “zyrtarët policorë janë rrezikuar nga grupet kriminale”, pasi në përdorim janë vënë edhe armët e zjarrit.
Policia në vetëmbrojte dhe për ta ruajtur qetësinë ka përdorur të gjitha mjetet e ligjshme.
Gjashtë zyrtarë policorë janë lënduar, prej tyre një ishte serb.
Pas situatës së krijuar, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar që incidentet e dhunshme në Veri të Kosovës të ndalen menjëherë.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell
Ai ka thënë se veprimet e pakontrolluara dhe të njëanshme mund ta rrezikojnë stabilitetin në rajon – si të tilla Borrell i cilëson “të papranueshme.
“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndërsa, në Prishtinë – kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se aksioni ka përfunduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Por, shtoi se “grupet kriminale nuk do të tolerohen”.
Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarët e komunave të Kosovës me shumicë serbe.
Për këtë ai është nisur për në bazën ushtarake të Rashkës, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, transmeton Insajderi.com
Sipas mediave në Beograd, takimi është thirrur për shkak të situatës dramatike që mbizotëroi të mërkurën në Veriun e Kosovës. /Insajderi.com

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës