Rikthehet Nisma në skenë: Plagosje e dyshimtë e rrahje e gazetarit

Rikthehet Nisma në skenë: Plagosje e dyshimtë e rrahje e gazetarit

Pas gjuajtjeve me armë zjarri në ahengje dhe punësimeve partiake nëpër institucione shtetërore, Nisma Socialdemokrate është rikthyer sërish në skenë.

Pasditen e sotme ka ndodhur një plagosje e dyshimtë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku viktima po dyshohet të jetë, Luan Maloku, këshilltari i Fatmir Limajt, kryetarit të Nismës, që njëherësh është edhe zëvendëskryeministër në detyrë, shkruan Gazeta Insajderi.

Pas konfirmimit të policisë lidhur me këtë rast dhe gjendjes stabile shëndetësore të Malokut, Endrit Shala i cili është anëtar i kryesisë së Nismës, që njëhershit është edhe ministër në largim i Tregtisë, kishte shkuar ta vizitoi në spital kolegun e tij, mirëpo aty, Shala kishte shpërndar disa grushte.

Shala kishte goditur gazetarin e “Indeksonline”, Ensar Ramadanin i cili kishte shkuar për ta përcjellur ngjarjen nga afër.

Gjersa gazetari ishte në detyrën e tij, me bexhin zyrtar të punës, Endrit Shala e ka goditur në fytyrë pa asnjë arsye gazetarin e Indeksonline.

E në një përgjigje për Gazetën Insajderi, Shala ka mohuar se ka grushtuar gazetarin i cili ishte në kryerje të detyrë së tij.

“Kush e ka sulmuar gazetarin?”, ka pyetur Shala. “Po ti shkruaje lajmin, çka po më thirrë mua me më pyet. Nuk ia vlen me më thirrë mua për këto far rrenash”, ka thënë Shala për Insajderin.

Një gjuajtje me armë është raportuar që ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 17:00. Me ç’rast një person është arrestuar lidhur me këtë rast. /Insajderi.com

Reagimi skandaloz i Endrit Shalës pasi grushtoi gazetarin: Nuk ia vlen me më thirrë