Rikthehet ora policore në Maqedoninë e Veriut

Rikthehet ora policore në Maqedoninë e Veriut

Pas një nate të lirë dhe pa kufizime për lëvizje, sonte kthehet ora policore në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Qytetarët nga restrikcionet u liruan për shkak të festës së Pashkëve.

Ndërsa, sonte (e diel) në orën 21:00 përsëri vendoset orë policore me kohëzgjatje deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Kufizimet e këtilla do të jenë në fuqi deri më 15 maj, ndërsa përjashtim do të bëjë data mes 13-14, në festën e Bajramit.

Këto masa më relaksuese u vendosën për shkak se numrat e të infektuarve në vendin fqinj janë ulur dukshëm. Ndërsa, po ashtu është marrë në konsideratë fakti se vendi ka filluar vaksinimin masiv. 200 mijë vaksinat kineze, që arritën të premten, më së voni deri ditën e hënë do të distribuohen në sallën “Boris Trajkovski” dhe në Kumanovë, Shtip, Kavadar, Tetovë, Ohër dhe Manastir.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe ka paralajmëruar edhe për arritjen e 600 mijë vaksinave nga Kina dhe 26 mijë nga Pfizer. Deri në fillim të verës, siç ka thënë ministri, pritet të ketë përqindje të lartë të të vaksinuarve dhe ndryshim të plotë të situatës epidemiologjike.

Për momentin nuk dihet se kur vijnë doza të reja të AstraZeneca, duke pasur parasysh ngjarjet me virusin në Indi e cila solli ndalesë për eksport të vaksinave.

Prej tani pikat e vaksinimit pritet që të vaksinojnë nga 10 mijë-15 mijë qytetarë në ditë.

Në vazhdën e vaksinimit përparësi do të jetë qytetarët e paraqitur për t’u vaksinuar, ato që janë më të shtyrë në moshë dhe qytetarët nga kontigjenti kritik.

Përndryshe, numri i të infektuarve nga Covidi-19, që nga fillimi i pandemisë ka shkuar mbi 150 mijë, ndërsa i të vdekurve gati pesë mijë.

Për masat e reja lehtësuese u soll vendim nga Qeveria e shtetit fqinj më 27 prill të cilat do të jenë në fuqi për 19 ditë. Me të njëjtin vendim, janë hapur edhe objektet hotelierike, të cilat mund të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në pjesën e terasave, ndërsa të hapura mund të jenë deri në orën 20:30, gjegjësisht 30 minuta para se të fillojë ora policore.Insajderi./Insajderi.com