Rikthehet terminali doganor i Trepçës, Kurti: Po korrigjojmë dëmin e bërë para 7 viteve

Rikthehet terminali doganor i Trepçës, Kurti: Po korrigjojmë dëmin e bërë para 7 viteve

Me një ceremoni solemne, është bërë rihapja e terminalit doganor në Mitrovicë te kompleksi i Trepçës.

Në rihapjen e këtij terminali, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është një ditë e rëndësishme, duke shtuar se po bëhet korrigjimi i një dëmi të shkaktuar shtatë vite më parë.

Para mediave, shefi i qeverisë theksoi se terminali është larguar “çuditërisht dhe padrejtësisht” nga Trepça, për të iu dhënë një biznesi privat.

“Sot është ditë e rëndësishme, është ditë e suksesshme për të gjithë ne.. Për bizneset një kosto e panevojshme hiqet dhe u lehtësohet të bërit biznes”.

“Nga viti 2003 deri më 2014 terminali ka qenë në hapësirën e Trepçës. Padrejtësisht e çuditërisht kjo hapësirë i është privuar Trepçës dhe i është dhënë një privati jashtë zonës. Çmimi është shtrenjtuar në 40 euro për maune Në këtë mënyrë kanë humbur bizneset, ka humbur Trepça dhe ka fituar një privat”.

“Shtatë vite më vonë ne po e bëjmë këtë hapje të terminalit, po e rikthejmë në Trepçë atë që gjithmonë i ka takuar dhe po e korrigjojmë një dëm të bërë vite më parë”, u shpreh Kurti.

Mirënjohës për rihapje të këtij terminali, u shpreh drejtori i Doganës Agron Llugaliu, duke e konsideruar si hap shumë të rëndësishëm për ekonominë edhe bizneset.

“Jam shumë mirënjohës nga Qeveria që ka bërë gjithçka për rihapjen e këtij terminali. Rihapja e saj është me rëndësi në dimensione të ndryshme dhe për ekonominë dhe bizneseve, sepse iu mundëson kosto më të ulët”.

Ndërkaq, Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, u zotua edhe për investime të tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë, duke theksuar se Trepça është prioritet i Qeverisë.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se synojnë që vitin e ardhshëm të hapen në tërë Kosovën terminale të tilla./Insajderi.com