Rimëkëmbja ekonomike: Masat që morën Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut

Rimëkëmbja ekonomike: Masat që morën Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut

Të gjitha shtetet kanë ndërmarrë veprime konkrete me pako ekonomike për të ndihmuar bizneset që të shpëtojnë nga falimentimi e të ruajnë numrin e të punësuarve pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Në Maqedoninë e Veriut janë miratuar gjithsej katër pako për rimëkëmbje të ekonomisë nga pandemia COVID-19, që përfshijë masa të shumta që për qëllim kanë ndihmën e sektorit privat dhe qytetarët e këtij shteti. Po kështu duarkryq nuk kanë qëndruar as autoritet e Shqipërisë për ta shpëtuar ekonominë e saj, e cila deri më tash ka miratuar dy pako ekonomike. E nga ana tjetër, Kosova ka mbetur vetëm më pakon emergjente, derisa pako e dytë ekonomike ende nuk është votuar në leximin e dytë raporton KP, transmeton Insajderi.

Pakoja e katërt e Maqedonisë së Veriut kap vlerën e 470 milionë euro, e cila ka 31 masa. Ndër masat kryesore që janë përfshirë në këtë pako është vazhdimi i mbështetjes për pagesën e pagave deri në fund të vitit, e cila do të shkojë nga 14,500 deri në 21,776 denarë. 250,000 vende pune do të mbështeten me 70 milionë euro, kartela pagesore prej 6,000 denarë për kategoritë e prekshme të qytetarëve me vlerë 27,6 milionë euro.

Masa tjera të përfshira në këtë pako janë edhe pjesa shtesë mujore prej 3 muajsh për kredi pa interes nga Covid-19 përmes Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut, 100 milionë euro shtesë për kredi të lira përmes Bankës për Zhvillim të Maqedonisë̈ së Veriut.

Në anën tjetër, Qeveria e Shqipërisë ka miratuar dy pako ekonomike për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët e prekura nga COVID-19.

Pako e parë përfshinë masa si ndihmë financiare për të punësuarit në sektorin e biznesit me të ardhurat vjetore deri 14.000.000 lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik për shkak të gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID19. Masë tjetër është dyfishimi i pagesës për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike, dyfishim të pagesës për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike, dyfishim të pagesës për individët që përfitojnë pagesën e të ardhurës nga papunësia.

Ndërsa, pako e dytë përfshinë masa si subvencionim për punonjësit e larguar dhe aktualë në bizneset me të ardhura 14+ milionë lekë të mbyllur nga urdhrat e MSHMS-së, mbështetje për të larguarit nga puna në periudhën 1 mars – 17 maj, subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë, subvencionimi i pagës së luftës për punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit.

Qeveria Shqiptare në mbështetje të sektorit privat përmes instrumentit të Garancisë Sovrane në përballimin e situatës, ka miratuar dy instrumente të Garancisë Sovrane për një shumë totale prej 26 miliardë lekësh.

Ndërkaq, Kosova deri më tani ka miratuar pakon emergjente e cila ishte në kohën kur me vendin qeveriste kryeministri Albin Kurti. Kjo pako emergjente përfshinte masa si pagesë të dyfishtë e vlerës së skemës sociale për të gjithë përfituesit të skemave sociale për muajin prill dhe maj, masë kjo në vlerë deri në 7 milionë e 650 euro, pagesë shtesë në vlerë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore në vlerë më të ultë se 100 euro, për muajin prill, maj dhe qershor, në vlerë deri në 13 milionë euro.

Masë e kësaj pako ekonomike emergjente, ishte edhe mbështetja financiare për shoqëritë tregtare në vështirësi financiare si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, që kishte përfshirë mbulimin e shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro, për muajin prill dhe maj, masë kjo deri në 41 milionë euro.

Kurse, projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, ka arritur ta miratoi vetëm në lexim të parë pas gjashtë tentimeve që kishte dështuar në Kuvendin e Kosovës.

Ky projektligj përfshin shumën prej 385 milionë euro, si dhe mundëson tërheqjen e 10 përqind të kursimeve pensionale. Nga kjo, Qeveria ka bërë shpërndarjen e 60 milionë eurove për bizneset.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se qeveritë e të dy vendeve, Maqedonisë së Veriut edhe Shqipërisë, kanë qenë më efikase në marrjen e masave për t’i ndihmuar bizneset krahasuar me Kosovën.

“Këto vende kanë qenë shumë më efikase në ndërmarrjen e masave, kanë marrë veprime në kohën e duhur. Tash këtu tek ne tek tani kjo masa e fundit që ishte përkrahje e drejtpërdrejtë në biznese është një masë e cila është realizuar shpejt dhe e cila e ka efektin e drejtpërdrejtë tek biznesi. Masat tjera nuk është që kanë dhënë ndonjë efekt shumë pozitiv. Pritjet janë shumë të mëdha nga ligji për rimëkëmbjen ekonomike, por nuk është problemi i natyrës së masave apo i llojit, apo shumës për implementimin e atyre masave po është problemi i kohës së zbatimit të tyre. Ne si në fazën emergjente si tash në fazën e rimëkëmbjes që po e diskutojmë jemi duke folur për një periudhë shtatë, tetë javë e më gjatë për implemtnimin e një mase, që është shumë kohë e gjatë për bizneset që kanë shumë nevoja tani dhe në një situatë të jashtëzakonshme të funksionimit të tyre”, thotë ai.

Rukiqi thotë se institucionet e vendit nuk kanë qenë shumë efikase në përkrahje të sektorit privat.

“Nuk jemi duke e mat dështimin, po jemi duke e mat efikasitetin. Unë nuk kisha thënë që këtu tash mund të flasim vetëm për një institucion, se kjo nuk është e lidhur vetëm me një institucion. Ne po e shohim që shumëçka është e lidhur drejtpërdrejtë me vendimmarrjen në Parlament. Unë mund të them që institucionet e vendit nuk kanë qenë efikse në përkrahjen e sektorit privat…Për emergjenten është vonuar dhe kjo ja ka humbur kuptimin, normal që janë ndihmuar bizneset po bizneset kanë qen të pakënaqura me krejt procesin. Tani për rimëkëmbjen janë masat e para, kjo masa e fundit 60 milionë është mirëpritur, po normal që pritjet janë shumë më të mëdha tash edhe nga ligji i rimëkëmbjes që mundëson sidomos ideja që të rritet kërkesa agregate duke rritur fuqinë blerëse dhe normalisht duke krijuar një gjendje më të mirë për likuiditetin e kompanive që lidhet me qasjen e tyre në financa”, thotë Rukiqi. /Insajderi.com