Rinumërimi i votave, flet zyrtari i AKR-së: Vetëm në një kuti i kemi 20 vota më shumë

Rinumërimi i votave, flet zyrtari i AKR-së: Vetëm në një kuti i kemi 20 vota më shumë

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, për lajmin se koalicioni Nisma Socialdemokrate-AKR-Partia e Drejtësisë ka kaluar pragun, ka thënë se shpreson të jetë i vërtetë por që ende nuk kanë një informatë të tillë.

“Kisha dashur me qenë ashtu, bile edhe me një përqindje më të madhe, por zyrtarisht njëherë nuk ka informatë të tillë. Ne shpresojmë që gjatë rinumërimit të 305 kutive do të dalin vota të mjaftueshme për ta kaluar pragun”.

Ai ka thënë se votat e tyre kanë humbur edhe për shkak të gabimeve që janë bërë në formularë dhe të tjera të ngjashme.

“Deri tash janë numëruar diku më shumë se gjysma e kutive, e vetëm në një kuti i kemi 20 vota më shumë (po flas sipas informatës zyrtare). Shpresojmë që do të ketë ende vota të mjaftueshme për koalicionin tonë për ta kaluar pragun ne kutitë që do të rinumërohen, vota të cilat shkaku i gabimeve në formularë dhe të ngjashme nuk janë regjistruar për koalicionin tonë”, ka deklaruar ai për Klankosova.

Për Makollin votat nga diaspora dhe me kusht janë shpresë shtesë për arritjen e qëllimit të tyre.