fbpx

Rinumërohen votat në Lezhë, vetëm 4 vota gabim

Rinumërohen votat në Lezhë, vetëm 4 vota gabim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka rinumëruar kutitë e votimit për 11 qendrat e votimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit që i takojnë Bashkisë Lezhë.

Nga rinumërimi, i cili u krye në sallën e mbledhjeve të KQZ dhe zgjati për rreth 2 orë, rezultuan vetëm katër vota të numëruara gabim. Këto vota i përkisnin Eduard Ndocajt, ndërkohë që kishin kaluar në avantazh të kandidatit fitues nga Partia Socialiste, Pjerin Ndreu.

Megjithatë, KQZ ka hapur vetëm kutitë e votimit dhe jo listat e zgjedhësve të këtyre KZAZ-ve, siç kishte kërkuar kreu i këtij institucioni, Klement Zguri.

Ky i fundit tha se “listat e zgjedhësve janë bërë mollë e ndaluar ndërsa ankimimet janë kthyer në farsë”.

Ndërsa, anëtari i KQZ, Bledar Skënderi tha se “nga shqyrtimi administrativ, rezultoi se nuk ka asgjë të pavlefshme në këtë zonë”.

Hapja e kutive për 11 qendra votimi në Lezhe, u vendos në mbledhjen e një dite më parë të KQZ-së, pas kërkesës së Partisë Konservatore që në Lezhë përfaqësohej nga Ndocaj./rtsh/