Risi në Nisma: Pozitë drejtuese për biznesmenin që akuzohej bashkë me Limajn për ryshfet

Risi në Nisma: Pozitë drejtuese për biznesmenin që akuzohej bashkë me Limajn për ryshfet

Për vite më radhë Florim Zuka kishte qenë së bashku me Fatmir Limajn në bankën e të akuzuarve, që nga fillimi i këtij muaji Zuka dhe Limaj do të jenë së bashku në Nismën Socialdemokrate të Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj kishte njoftuar në fillim të këtij muaji për strukturë të re të Nismës në Gjilan. Aty afër Limajt është parë gjithmonë biznesmeni që për vite me radhë ishte gjykuar së bashku me kryetarin e partisë.

“Sot vizitova degën e Nismës në Gjilan ku takova strukturat drejtuese të degës sonë. Dega jonë në Gjilan po kalon në proces të ristrukturimit dhe strukturat drejtuese tanimë e kanë zgjedhur kryetarin e ri, Sevdail Robellin, të cilit i urova suksese në detyrën e re”, kishte shkruar Limaj në Facebook, duke publikuar disa fotografi ku aty kishte qenë edhe Zuka.

Në të vërtetë lidhjet e Limajt me Zukën kishin qenë qysh prej kohës. Që nga viti 2008, Limaj së bashku me Zukën dhe të tjerët ishin gjykuar për rastin MTPT.

Fatmir Limaj, Florim Limaj, Demir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj akuzoheshin, mes tjerash, për manipulimin e procedurave të tenderëve, dhënien dhe marrjen e ryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në MTPT për përfitime personale dhe/apo materiale.

Prokurori i Special i Eulexit kishte ngritur aktakuzë ndaj Limajt, Zukës dhe të tjerëve për krim të organizuar dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin në të ashtuquajturën çështje të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.

Veprat penale për të cilat akuzoheshin kishin ndodhur gjatë periudhave kohore mes vitit 2008 dhe 2010. Dëmi ndaj buxhetit të MTPT-së llogaritet të jetë rreth dy milionë euro.

Në fund të vitit 2017, Limaj së bashku me Zukën dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore, pasi rasti nga Eulexi kishte kaluar tek gjykata vendore./Insajderi.com