Zëdhënësi i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të 552 vendvotimeve është drejt fundit, njofton Insajderi.
Deri më tani janë rinumruar rreth 88 për qind apo 487 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre.
Elezi ka njoftuar se ky proces pritet të përfundojë të shtunën, ndërsa nesër (e diel) të fillojë numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të veçanta,
Ai ka thënë se të premten në mesnatë është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.
“Po punohet maksimalisht që deri në përfundimin e ditës së sotme të përmbyllim të gjithë procesin e rinumërimit. KQZ të premten në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga data 2 deri më datë 12 shkurt”, ka deklaruar Elezi në konferencën për media.
Ai tutja ka shtuar se sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe.
“Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi shifra të sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotimeve nga jashtë vendit, të cilat do të numërohen këtu në QNR”./Insajderi.com