Gazetari Enver Robelli, ka reaguar pas votimit të sotëm të Kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës, në seancën konstituive që u mbajt sot, njofton Insajderi.
Robelli thotë se 91 votat për kandidatin nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit, Slavko Simiq dhe 69 sosh për kryetarin e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tregojnë se ku ka arritur “përçarja, polarizimi, urrejtja, inatet e mosdurimi në skenën politike shqiptare të Kosovës”.
Me anë të një postimi në Facebook, Robelli shtoi se diferencimi prej 22 votash tregon se deputetët shqiptarë e kanë më të lehtë të votojnë për Simiqin se për Konjufcën.
“Përndryshe deputeti i pakicës serbe që e propozoi Simiqin nga foltorja ia futi një kunj parlamentit dhe opinionit, kur tha: “Para popullit serb” e propozojmë për kandidat për nënkryetar Sllavko Simiqin, thua se Simiq po përfaqëson “popullin serb” në Kuvend dhe jo pakicën serbe të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai. /Insajderi.com