Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit A.Q, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vëllait të tij, madje bashkëshorten edhe e kishte ofenduar me fjalët “kur*ë, laperi*ë”, përcjell Insajderi.
Masa e paraburgimit do të llogaritet prej kohës së arrestimit 25.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 25.04.2021
“I pandehuri A.Q., me datë 25 mars në orët e mbrëmjes, në shtëpinë e tyre të përbashkët, sistematikisht ushtron dhunë fizike dhe psikike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që deri sa e dëmtuara ishte duke qëndruar në shtëpi, i pandehuri nën ndikim të alkoolit, në gjendje të dehjes totale me 1.30 promil-sasi alkooli në gjak, fillimisht i drejtohet të dëmtuarës me fjalë ofenduese si “laperic, kurvë” dhe në një moment, ngrihet në këmbë dhe fillon ta sulmoj fizikisht të njëjtën derisa ndërhynë për t’i ndarë vëllain i tij, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e ankthit dhe pasigurisë personale”.
“Po ashtu, i njëjti me datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje përdor forcë ndaj të dëmtuarit – vëllait të tij në atë mënyrë që deri sa i pandehuri ishte duke e sulmuar bashkëshorten e tij, i dëmtuari – vëllai i tij ndërhyn me qëllim që ta largoj te dëmtuarën nga sulmi, ku me atë rast i pandehuri fizikisht e sulmon edhe atë duke e goditur me grushte, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë personale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Tutje bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh karakterin dhe personalitetin e të pandehurit, i cili rezulton se është konsumues i alkoolit, shton dyshimin e bazuar që i njëjti mund të arratiset dhe të jetë i pa kapshëm.
“Po ashtu duke marrë parasysh faktet se i pandehuri është konsumues i alkoolit dhe sipas deklaratës së të dëmtuarës, i njëjti edhe më parë ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij duke e fyer dhe sulmuar fizikisht, arsyetojnë faktin se i njëjti duhet të dërgohet nën masën e paraburgimit”./Insajderi.com