Viktima e dhunës seksuale me inicialet B.K., ka rrëfyer ngjarjen që i ka ndodhur 22 vjet më parë, për çka sot është vënë drejtësi me dënimin prej 10 vjetësh ndaj dhunuesit serb, Zoran Vukotiq nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në një intervistë për KP, viktima e dhunës seksuale, akt ky pas të cilit ka humbur dy fëmijë që ishte duke i pritur për të ardhur në jetë, ka treguar për përballjen e saj me njeriun që i shkaktoi vuajtje për më shumë se dy dekada.
“Në momentin që ka hyrë në gjykatë, menjëherë e kam njohur, menjëherë. Nuk jam ndjerë kush e di sa mirë, por jam bërë shumë e fortë, më ka jep Zoti aq shumë forcë sa i kam dalë përballë me shumë krenari. Sa i përket kësaj, unë e di që nuk kam bërë marre diçka, por ajo ka qenë një krim që iu ka ndodhur shumë nënave dhe motrave tona, të cilat sot e asaj dite as nuk guxojnë me përmend. Shumë prej tyre edhe nuk janë, nuk ekzistojnë. Nuk e kanë pasur krejt fatin tim, që me përkrah bashkëshorti, apo dikush”, rrëfen ajo.
“Kam filluar të qaj, por prapë se prapë e kam mbajtur veten, ajo krenaria që nuk kam dashur ai me më pa me lot, edhe të dijë ai që unë aq shumë po vuaj. Sa që ai ka provuar kinse po ndihem keq. Po unë asnjëherë nuk jam kthyer ta shikoj fytyrën e tij, të kriminelit, i cili më kujtohej sikur atë ditë, sikur para 21 viteve. Unë gjatë luftës kam qenë shtatzënë tremuajshe, në kohën kur më ka ndodhur akti. Pas përfundimit në shtator, i kam humbur dy djem. Edhe e di se më ka ardhur ajo fuqi aty edhe i kam thënë ‘unë i kam humb dy djem shkaku yt, por falë Zotit e kam një luan 20 vjeçar, mos mendo që ma ke tha shpirtin’”, tregon me tej ajo.
Dita e 21 janarit të këtij viti, kur kjo e mbijetuar u përballë me dhunuesin në seancë gjyqësore, u konsiderua historike për organizatat që po merren me trajtimin e tyre për rreth 20 vjet.
“Më kujtohet momenti kur ka hyrë personi, i pandehuri për krimin e bërë, e mbijetuara ka filluar të bëjë lëvizje të pakoordinuara, kërcente sikur lepur. Unë mundohesha t’ia mbaja dorën, mundohesha që t’i qëndroja pranë, edhe ajo ka qenë qëllimi që të përkrah, por as unë nuk mbeta pa emocione. Ishte e pamundur, ajo rryma që u krijua mes të qenit mes të mbijetuarës edhe mes të dhunuarës, është emocion i pa përshkruar. Edhe të kthen tamam në ngjarjen e vitit ’99. Megjithatë edhe pse ishte emocionuese dhe mbi të gjitha unë dua ta ndaj me opinionin e gjerë që kemi të bëjmë me një grua që ka forcë të papërshkrueshme. Me arrit krejt atë lloj krimi që është ushtruar në trupin e saj, me arrit ta dokumentoj nuk është fare e lehtë. Ka qenë moment emocional, i ka bërë me lot komplet trupin e gjykatës edhe ne që kemi qenë prezent”, shton ajo.
Muajt e pranverës e kthejnë mbrapa në kohë dhe i kujtojnë ngjarjen që i solli dhembje të forta. Ajo kujton edhe ditën e ngjarjes për të cilën tha se nuk pati nevojë t’i tregojë asgjë familjes pasi dukej nga pamja e jashtme e saj që diçka e tmerrshme kishte ndodhur.
“Saktësisht prej datës (censuruar), kemi qëndruar pranë varrezave me datën (censuruar) atë ditë herët në mëngjes forcat serbe na dëbuan prej shtëpive. Na nxorën në fushën e varrezave në (censuruar). Atë ditë aty i kanë ndarë meshkujt, djemtë e rinj, vetëm gra, fëmijë e pleq i kanë lënë. Aty na kanë drejtuar në një lokal me i marrë disa kartonë. Na kanë bërë rresht aty, duke prit të hyjmë aty. Me të hyrë brenda, aty ka ndodhur më e keqja. Me datën (censuruar) jam takuar me bashkëshortin, ka qenë vetëm pas përfundimit të luftës. Unë prapë të njëjtën shtëpi, sepse aty e kisha familjen të vendosur. Nuk ka pasur nevojë të tregoj, se ka treguar vet pamja ime, e tmerrshme”, vijon rrëfimin ajo.
Ditën kur ajo u dhunua, po barte me vete dy jetë. Pas përfundimit të luftës, si shkak i gjendjes së rëndë, abortoi në muajin e shtatë.
“Atë natë më kanë dërguar te mjeku familjar, por i vetmi mjek që ka ekzistuar në (censuruar), ka qenë që ka punuar në shtëpi të vet, si ordinancë. Atje më kanë dërguar vjehrra edhe motra. Kam qenë e lënduar në trup, me gjakderdhje të madhe, gjithçka ma e keqja që mundet të ndodhë. Kam përdorur terapi dhe pas përfundimit të luftës deri në muajin e shtatë (të shtatzënisë) i kam humbur (foshnjat)”, tregon ajo për KP.
“Përkrahja e shtetit më ka munguar shumë, se unë menjëherë pas luftës kam dëshmuar, menjëherë pas luftës, në UNMIK. Ajo dëshmi nuk ekziston, në vitin 2010 kam dëshmuar në EULEX edhe ajo dëshmi nuk gjendet askund. Tash kam dëshmuar në gjykatën tonë, do Zoti edhe drejtësia po shkon në vend”, shpreson ajo.
“Drejtësia nënkupton shërim, trajtim, jo vetëm për personin në fjalë që e ka përjetuar luftën, por edhe për familjarët e saj, për fëmijët që ua kemi borxh, por edhe shoqërinë. Ky proces ka filluar shumë herët, por fatin e ka pasur që me 21 janar të këtij viti e mbijetuara e dhunës seksuale që ka qenë pjesë trajtimit të organizatës, një person që ka përfituar tretman të vazhdueshëm në organizatë, ka arritur që suksesshëm të dëshmojë për të gjitha krimet e bërë edhe atë me data dhe me fakte se si është ushtruar ai krim në rrethana lufte dhe se si ky krim ka qenë pjesë e një arsenali të dhunës që personi në fjalë e ka ushtruar në raport me trupin e saj”, tregon ajo.
Zoran Vukotiq, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u dënua sot me 10 vjet burgim. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore. /Insajderi.com