Një person i cili tashmë jeton në diasporë, ishte përdhunuar nga forcat serbe kur ishte në moshën 16-vjeçare, ka ndarë rrëfimin e tij për dhunën seksuale të pësuar në luftë, transmeton Insajderi.
Ai thotë se derisa po shkonte në Prishtinë për të takuar një familjarë të plagosur në spital, është kapur nga forcat serbe dhe është dërguar në Prishtinë ku është përdhunuar brutalisht nga pesë ushtarë.
“Ata më vendosën atje në një dhomë, ishte një dhomë mjaft e madhe, nuk mund të them sa por dukej si një sallë. Aty ishte një tavolinë dhe ata filluan torturat atje, unë rezistova aq sa munda, ata më hoqën rrobat me forcë, kisha një këmishë të kuqe, e shqyen dhe gjithçka derisa i hoqën të gjitha. Kanë qenë 5 persona përafërsisht, me sa mbaj mend, unë rezistova aq sa munda. Gjithmonë mbaj mend një fytyrë të njërit prej tyre dhe nuk mund ta harroj, ai kishte një kapelë në të cilën nuk di si ta shpjegoj, me një shirit përpara dhe syzet me dioptri. Ai është personi që unë gjithmonë kujtoj fytyrën e tij, ata ishin të gjithë të dhunshëm, por nganjëherë dhuna ndryshon. Ai ishte më i dhunshmi. Thjesht, ata më përdhunuan seksualisht… Ishte një torturë e vërtetë, pasi njëri prej tyre po më mbante për flokë, dy prej tyre më mbanin për duar, po flas për kohën sa isha akoma me vetëdije, dhe ata më përdhunuan me radhë, të gjithë”, rrëfen personi në fjalë për RTK-në.
Ky person tregon se pos dhunës seksuale ai edhe është fotografuar nga këta ushtarë serb.
“Ata kishin një aparat fotografik, dhe unë e di që ata bënë foto me mua, por unë fillova të bëhem i turbullt, jam i mpirë, nuk mund të ndjeja më asgjë, nuk pashë më dhe nuk kuptoja më, por e di që blici i kamerës ka bërë tërë kohën”.
Kjo viktimë e dhunës seksuale thotë se pas përdhunimit ai është hedhur në rrugë, ku më pas ka marrë pak veten dhe ka arritur të shkojë në një vend më të sigurt në Prishtinë.
Për shkak të këtyre përjetimeve thotë se pas luftës është dashur ta devijoj rrugën për të shkuar në shkollë, që të mos i kujtohen ato momente.
“Derisa kam qenë në shkollë në Prishtinë, sa herë që merrja autobusin për t’u kthyer në shtëpi, ishte një vend që më kujtoi shumë gjëra, dhe shumë herë isha i detyruar të merrja një autobus në kahje tjetër për të mos kaluar përsëri nga ajo rrugë”, tregon më tej personi i dhunuar. /Insajderi.com