
Sot iu dha lamtumira e fundit Abid Jasharit, 34 vjeç, nga Prishtina. Dyshohet se një mosmarrëveshje, që babai i tre fëmijëve e kishte me familjen e gruas së tij, e çoi drejt vdekjes atë. Një ditë para se në trupin e tij të shkrepen plumba, Abidi kishte raportuar në polici për kërcënimet që kishte marrë nga familja e gruas – këtë e tha sot për Gazetën Express vëllai i tij, Behari.
Pas më shumë se 18 orësh në arrati, i dyshuari kryesor për vrasjen e Abid Jasharit, me të zbardhur mëngjesi i së enjtes, u vetëdorëzua në polici. Para se ai të vetëdorëzohej, policia kishte bastisur gjashtë lokacione. Besnik Shkodra, 26 vjeç, aktualisht ndodhet në prangat e policisë dhe i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Po ashtu, i dyshuari ka dorëzuar edhe revolen me të cilën dyshohet se ka kryer vrasjen.
“Sot rreth orës 07:00 i dyshuari kryesor për këtë rast, B. Sh., mashkull 26 vjeç, u vetëdorëzua në stacion policor. I njëjti ka dorëzuar edhe një armë zjarri (revole) e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë. Po ashtu, nga ana e policisë, është konfiskuar për ekzaminim edhe një veturë e tipit CITROEN”, njoftoi policia.
Ekipi i Gazetës Express gjatë ditës së sotme ka qëndruar te shtëpia e familjes së Abid Jasharit në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Me të hyrë në lagjen e shtëpive të tyre vërehej njoftimi i vdekjes për të. Përmes njoftimit bëhej e ditur se ceremonia e varrimit për Abidin është caktuar sot në orën 15:00 në varrezat e qytetit në Dragodan.
Familjarë e miq po qëndronin pranë shtëpive të familjes Jashari në “Kodrën e Trimave”, në mesin e tyre ishte edhe vëllai i vetëm i Abidit, Behari. Për shkak të situatës së vështirë me të cilën familja e tij u përballë një ditë më parë, Behari foli shumë pak rreth rastit. Tha se familja nuk ka pasur njohuri se çfarë mosmarrëveshjesh ka pasur Abidi me familjen e gruas. Por, sipas tij, Abidi kishte marrë kërcënime nga familjarët e saj, të cilat i kishte raportuar në polici një ditë para se të ndodhte vrasja e rëndë.
“Për momentin s’dimë më shumë krejt çka janë dalë nëpër media nuk ka më shumë. Unë jam vëllai i Abidit. Për një problem Abidi ka raportuar pardje në polici (një ditë para se me vdekë), por policia s’e ka regjistru. Nuk e di saktësisht për çka ka qenë i kërcënuar”, tha Behari për Gazetën Express.
Për këtë, Gazeta Express ka pyetur në polici nëse ata i kanë ofruar mbrojtje Abidit pas kërcënimeve që ai i ka raportuar, por ata thanë se do të përgjigjen ndërkohë.
Behari tregoi se Abidi nuk ka pasur problem me gruan, madje gruaja e tij tha se po qëndron në të pame në shtëpinë e familjes Jashari në Kodrën e Trimave.
“Nuk ka pasë problem me gru, i kanë tre fëmijë. Nusja e vëllait po vazhdon me qëndru në shtëpinë tonë…”, vazhdon të rrëfejë Behari.
Nga ajo që ka dëgjuar Behari thotë se djali i vëllait të gruas së Abidit ka qenë i nxitur prej vëllait të saj për ta privuar nga jeta 34-vjeçarin. Këmbëngulte se nuk e di gjë për problemet që ishte futur vëllai i tij me familjen e gruas.
“S’jam në dijeni për asnjë problem, ai u kanë djali i vëllait të nuses i nxitur prej vëllait të saj. Ai e ka porosit janë mesazhet në prokurori e polici, që e ka kërcënu e ka thirrë”, tha Behari
Shtoi se nuk di asgjë për detajet.
“I ka marrë tash prokuroria të gjitha, po merren me rastin”, përfundoi ai.
Abid Jashari u vra dje, me dy plumba, rreth orës 11:30 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë. Ngjarja ndodhi gjatë lëvizjes së tij me veturë në këtë rrugë të kryeqytetit.
Brenda shtatë ditëve Kosova u trondit nga dy vrasje. Para një jave u vra me armë zjarri Mentor Aliu, 25 vjeç, në Ferizaj. Dyshohet se vrasjen e kreu 17-vjeçari SH.R. Ndërsa, sot po nga arma e zjarrit nga jeta u privua edhe Abid Jasharaj, 34 vjeç. I dyshuari kryesor i vrasjes së Abidit, Besnik Shkodra, 26 vjeç, është vetëdorëzuar sot në polici.
Rasti i Abid Jasharajt është vrasja e tretë në Kosovë brenda këtij viti. Vrasja e parë në vitin 2019 ka ndodhur më 1 janar, në një familje nga komuna e Gjilanit. Dyshohet se burri ka vrarë aksidentalisht gruan e tij, përderisa ishte duke festuar me armë Vitin e Ri. Vrasja e dytë ndodhi javën që e lamë pas, Mentor Aliu u vra në Ferizaj dyshohet se motivi është një hakmarrje e vjetër mes familjes së tij dhe të dorasit.
Sidoqoftë, në tri vitet e fundit, viti 2018 cilësohet si viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Policia tha se në vitin 2018 u vranë 35 persona, në vitin 2017 ndodhën 27 vrasje, ndërsa në vitin 2016 ndodhën 26 vrasje. /Gazeta Express