Rrëfimi i grave të dhunuara shfrytëzohet për biznes nga Nait Hasani dhe dhëndri i tij

“Të vjedhësh bashkë me dhëndër”, ky do të ishte një titull filmi që do t’i përshtatej më së miri veprimeve të fundit të pushtetarëve, të cilët vendosën që t’i japin një bakshish të mirë prej qindra mijëra eurosh të dhëndrit të Nait Hasanit.

Rrëfimi i grave të dhunuara shfrytëzohet për biznes nga Nait Hasani dhe dhëndri i tij

Nait Hasani përpiqej të lozte njeriun e ndershëm më 2 shkurt të këtij viti. Ishte në rend dite miratimi i buxhetit për vitin 2019 dhe i Ligjit për Pagat.

Hasani që kryeson komisionin parlamentar për administratë publike i kishte rënë hise që të vendoste për pagat e shërbyesve civil.

Fliste si hero. Trumbetohej si gardian i buxhetit publik.

“Për punën e njëjtë, pagë e njëjtë. Ky është synimi i këtij projektligji”, thoshte Hasani duke shtuar se kishte pasur presione të jashtëzakonshme për këtë ligj.

Nuk tregonte se çfarë presionesh. Aludonte se ato po i bëjnë ata që nuk duan ta ruajnë buxhetin e Kosovës.

Por,  ai që nuk mërzitej fare për buxhetin ishte vetë Hasani. Dukej se po bënte argatin e dikujt. Bënte presion te deputetet tjerë që ky ligj të votohej shpejtë, duke thënë se “E keni shansin e fundit që ta rregullojmë këtë çështje të nivelizimit të pagave”.

Faktet e publikuara më vonë treguan se Hasani kishte hallin te një shans tjetër. Atij i ishte premtuar një bakshish i mirë nga sponzoruesit e ligjit. Ata e mbajtën fjalën. Disa javë më pas, komplet kabineti qeveritar përfshirë kryeministrin, zëvendës kryeministrat e ministrat ishin të një goje për një çështje të çuditshme.

Vendosën që t’ia japin 180 mijë euro dhëndrit të Nait Hasanit, i cili është një regjisor i dobët.

Një regjisor i nivelit të Halil Budakovës. Për dallim prej Budakovës, Luan Kryeziu shquhet edhe si gënjeshtar. Ka gënjyer publikun kinse një aktor serb me famë ndërkombëtare i është afruar që të luajë rolin e Adem Jasharit, në një film të supozuar të Kryeziut. Ka pesë vjet që dhëndri i Nait Hasanit, Luan Kryeziu, gënjen publikun kinse është duke e realizuar një film për Adem Jasharin.

Imagjinojeni. Qeveria e Kosovës mbështetë financiarisht një person që është në gjendje që ta shfrytëzojë edhe Adem Jasharin për interesa personale të tij. Për më keq, filmi i mbështetur kundërligjshëm trajton temën e grave të dhunuara gjatë luftës.  Kjo tregon se pushtetarët nuk kanë ndjeshmëri për të dhunuarat gjatë luftës. Rrëfimin e tyre e shfrytëzojnë për ta pasuruar Nait Hasanin dhe dhëndrin e tij.

Por, ky nuk është mëkati i vetëm. Ato 180 mijë euro janë dhënë në mënyrë të kundërligjshme. Nuk dihet se kush e propozoi në Qeveri mbështetjen financiare të këtij filmi. Një fjalim në mbledhje të Qeverisë e lexoi një zëvendës ministre e Kulturës. Ministri Kujtim Gashi është distancuar nga ky veprim i zëvendës ministres. Kjo është e çuditshme.

Por, pse ky veprim ishte i kundërligjshëm?

Ekziston një procedurë ligjore se si shteti financon filmbërësit. Është Qendra Kinematografike e Kosovës që e bënë këtë, nëpërmjet një gare të hapur.

Projekti filmik “Lojë Jetë”, i cili është mbështetur kundërligjshëm nga Qeveria e Kosovës, ishte vlerësuar si i dobët nga QKK-ja. Ishte refuzuar financimi i këtij projekti filmik. Asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë që të shpërndajë para për realizim filmash, përveç QKK-së.

Por, kjo u anashkalua pasi që ishte në pyetje dhëndri i Nait Hasanit apo vetë Nait Hasani, i cili si deputet i kreu argatin sponzoruesve qeveritar të Ligjit për Paga.

Argati i tyre, deputeti Hasani, është i përfshirë edhe një veprim tjetër të dyshimtë.

Radio Televizioni i Kosovës, i dërrmuar financiarisht, kontraktoi dhëndrin e Nait Hasanit në një tender të shpallur në dhjetor të vitit të kaluar. RTK-ja bleu për 18 mijë euro të drejtat televizive të filmit “Heroi”, premiera e të cilit është lansuar më 2014, para pesë vitesh.

Asnjë televizion në botë nuk shpenzon 18 mijë euro për të ritransmetuar një film nën mesataren, të realizuar në vitin 2014.

Kjo shumë totale e parave në vlerë totale prej afro mbi 200 mijë, e përfituar nga dhëndri i Nait Hasanit, duhet të hetohet nga një prokuror i mirë i Prokurorisë Speciale.

Nait Hasani ndihet komod që aktualisht nuk hetohet nga prokurorët e korruptuar, meqë është njeri i veshur me pushtet. Por, dikur do të ketë Vetting për sistemin prokuroria e gjyqësor.

Në një të ardhme të afërt, Nait Hasani dhe dhëndri i tij do të detyrohen që të shpenzojnë për avokatë këto para të fituara kundërligjshëm. Për këtë arsye, është më mirë që Hasani të reflektojë dhe të kthejë në buxhet këto para të kontraktuara, ende pa nisur shpenzimin e tyre.