Më 24 tetor të këtij viti, vëllau i presidentit, Gani Thaçi kishte sulmuar fizikisht në Byronë e Sigurimeve të Kosovës dy persona. Drejtori i BSK-së, Blerim Pushkolli dhe drejtori i Kompanisë së Sigurimeve Iliria, Gianni Sokoliq ishin sulmuar nga vëllau i presidentit që mbante pozitën e Koordinatorit të Përgjithshëm të BSK-së.
Për këtë incident, Policia kishte intervistuar Gani Thaçin, Pushkollin, dhe disa dëshmitarë tjerë që kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Gazeta Insajderi e ka siguruar të plotë deklaratën të cilën vëllau i presidentit Thaçi e ka dhënë në Polici ditën kur kishte ndodhur incidenti.
Në pyetje nga Policia është marrë edhe shoferi i Gani Thaçit, Enis Qerka.
Ai ka treguar në detaje për momentin e incidentit të Thaçit me Blerim Pushkollin dhe Gianni Sokoliq.
“E kam parë Blerim Poshkollin duke e goditur në pjesën e epërme të vetullës mbi syrin e majtë, ndërsa drejtori Sokoliq me sa di është slloven, e kishte kapur duke e mbajtur Gani Thaçin. Pasi kam hyrë fillimisht në mes të tyre dhe e kam shtyer drejtorin Sokoliq, pastaj e kam kapur Blerim Poshkollin me dy duart dhe e kam shtyer në një pjesë të ËE, dhe jam kthyer e kam parë Gani Thaçin që kishte pasur vetullën e dëmtuar”, thotë fillimisht Enis Qerka, që u arrestua ditë më parë për trafik droge.
Në dëshminë e tij ai tregon edhe për përplasjen me Poshkollin, pasi i kishte ndarë fillimisht ata.
“E vërejtur se prapa meje ishte duke më prekur përsëri drejtori Bleriom dhe jam kthyer përsëri kah ai e kam kapur dhe e kam nxjerrë jashtë te zyra e asistentes dhe I kam kërkuar që të largohet për shkak të gjendjes së tensionuar dhe e kam përcjellur deri në koridor”, tha Enis Qerka para Policisë.
Qerka ka treguar edhe pse është futur në zyrën e mbledhjeve.
“Arsyeja ka qenë sepse asistentja ime më ka thirrur duke më bërë me gjeste se diçka po shtyhen brenda në takim, kur kam shkuar e kam parë ngjarjen që e deklarova. Qëllimi im ka qenë vetëm ta qetësoj situatën”, tha ai. /Insajderi.com