
Nëna e personit i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e 22-vjeçarit, Fatlind Arifi ka treguar se si djali i tij Liridon Uruqi ka rrëfyer vdekjen e shokut të tij të ngusht.
Në një intervistë për Gazetën Express, nëna e të dyshuarit ka thënë se djali i tij Lirdoni dhe viktima kanë qenë shokë për shpirti.
“Liridoni sot ka ardh në shpi. Kemi fol me to. Fatlindin e ka pas shokë për shpirti. Ka ardhë te na ka hanger bukë në tavolinë me neve. Ama që i ndodhi kjo na jem të mërzitmë sa për ata sa për neve. Liridoni sot ka ardh ne shpi’, thotë nëna e të dyshuarit, Liridonit, i cili tashmë gjendet në qendrën e paraburgimit në Gjilan.
Ajo ka treguar se si Liridoni ia ka shpjeguar të gjithë ngjarjen.
“Na tha që i ka ra arma në tokë. Tu u kaqamitë më ta e ka marrë armën e ka gjujtë, kur e ka pa Fatlindin e kish rrokë. Tha më tha Fatlindi o Liridon me rroke. Prej aty tha e ka marrë Fatlindin me kerr e ka qu në spital. Tha më vdiq në duar të mija. Liridoni veç ka qajtë. Tha nuk po më dhimet vetja që hi në burg po më dhimbset djali i hasretit që e mora në qafë”, thotë ajo.
Liridon Uruqi është personi i cili po dyshohet se ka vrarë 22-vjeçarin, Fatlind Arifi gjatë natës së mbrëmshme në qytetin e Gjilanit.
Ismet Hashani zëdhëndës në Policinë e Kosovës për rajonin e Gjilanit ka treguar se ngjarja ka ndodhur gjatë natës së mbrëmshme pas një zënke në mes të Liridon Uruqit dhe Fatlind Arifit.
” Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orëve të mesnatës, pas orës 23:00. Nga hetimet e para është mësuar se ngjarja ka ndodhur pas një zënke që ka kanë pas mes vete, njëri nga të dyshuarit me inicialet L.U ka shtënë me armë zjarri në drejtim të F.A. Viktima është dërgua në qendrën Emergjente këtu në Gjilan por mjekët aty vetëm e kanë konstatuar vdekjen. I dyshuari kryesor është arrestuar sot në orët e paradrekes. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe Prokurori i shtetit ka urdhëruar që i dyshuari bashkë me vëllanë e tij të dërgohen për në paraburgim”, ka thënë Hashani.
Ndërsa prokurori i rastit, Agim Uka ka thënë se të dyshuarit e kryerjes së kësaj vepre kanë dashur ta inskenojnë rasti si vetëvrasje.
“Nuk po mundemi ende me zbulu shkakun se pse ka ndodhë. Deri më tani është arrestuar vëllai dhe i dyshuari kryesor Liridon Uruqi. Jemi duke e bërë kërkesën për caktim të paraburgimit të të dyshuarit. Mund të ju them se i dyshuari e ka pranuar veprën në tërësi”, ka thënë Uka.
Sipas prokurorit Uka, Policia dhe Prokuroria kanë vepruar menjëherë dhe nuk kanë lënë që dëshmitarët të bashkëveprojnë për të ndryshuar rrethanat e ngjarjes.
“Dëshmitari ka thënë se e gjitha ka ndodhur aksidentalisht por ne duhet të analizojmë situatën, se pse i dyshuari ka pasur armë me vete, si ka ardhur rasti deri te shkrepja e armës”, tha Uka.
Tutje, prokurori Uka ka treguar se të dyshuarit, gjithsej 3, njëri nga ta ishte arrestuar në fillim ndërsa të tjerët kanë tentuar ta inskenojnë ngjarjen kinse 21 vjeçari ka bërë vetëvrasje.
“Po në fillim kanë tentuar që ta inskenojnë ngjarjen por fati ynë dhe shpejtësia e Policisë dhe Prokurorisë kemi arritur që mos me i lanë me bashkëpunu. Arma është shkrepur prej 3-4 metra dhe është qëlluar në zemër. Viktima ka shkuar në spital pa shenja jete”, tha Uka.
Prokurori Uka tregoi edhe se Liridon Uruqi i dyshuari ka një dosje të gjerë kriminale.
“Liridon Uruqi ka dosje kriminale, për vrasje në tentative është i dënuar me dy vjet efektiv. Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar. Ka një të kaluar shumë të gjerë kriminale i dyshuari”, tha Uka.