Ka filluar të rrënohet fabrika më e madhe prodhuese e miellit dhe e bukës “Kualiteti” në Gjilan, e cila ishte shitur nëpërmjet ankandit publik pasi që pronari i saj pas privatizimit ka pasur borxhe ndaj një banke komerciale në vend.
Rrënimi i fabrikës, e cila shihej si perspektivë për bujqit në rajonin Gjilanit ngaqë ata bënin grumbullimin e grurit, ka ngjallur reagime të shumta.
Rijad Rashiti, anëtar i asamblesë komunale në Gjilan nga radhët e PDK-së, vlerëson se rrënimi i fabrikës në fjalë po bëhet për shkak se në këtë zonë priten ndërtime të larta.
Madje ai adreson akuza në drejtim të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, se ai i ka ndihmuar këtij procesi.
“Po e rrënojnë ndërtuesit ilegalë në Gjilan” është shprehur Rashiti.
“Ky veprim po bëhet krejt në koordinim me të parin e Gjilanit sepse privatizuesi ka qenë deputet i LDK, jaran i Lutes”, ka thënë Rashiti për Insajderin.
Pas këtyre deklaratave ka reguar drejtori i Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu, i cili kritikat e asamblistit të PDK-së i quan tendencioze dhe të pabaza.
“Ne vazhdojmë me punë t’hajrit, e ju llomotitni!”, ka theksuar Shefkiu.
“Gjilanasit nuk kanë problem për grumbullimin e grurit. Këtë problem e ka vetëm një asambleist i PDK-së, i cili, i frustruar nga humbja e zgjedhjeve në mënyre spektakolare, po tenton ta manipuloj opinionin, por nuk ia ka arritur dhe nuk do t’ia arrij kurrë” është shprehur tutje Shefkiu.
E njohur si fabrika e “Kualitetit” ose në popull si buka e shtetit, kjo ndërmarrje dikur shihej si gjiganti i Anamoravës por se në shkurt të vitit 2013 kjo fabrikë kishe dalur në ankand publik për shkak të shumë borxheve. Kjo fabrikë kishte vlerën e 5 milion eurove dhe është privatizuar me spinof special./Insajderi.com