Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se rreth 100 institucione private shëndetësore kanë aplikuar për licencimin e shërbimit të testimeve për Covid-19.
Sipas Hotit, disa laboratorë privatë kanë shprehur interes për të ofruar edhe testime serologjike, për çka zëdhënësi i MSH-së thotë se shqyrtimi i këtyre aplikimeve pritet të bëhet gjatë kësaj jave nga Bordi për licencim të institucioneve private shëndetësore.
“Bordi për licencim të institucioneve private shëndetësore i Ministrisë së Shëndetësisë dje ka filluar procesin e shqyrtimit të aplikacioneve të institucioneve private shëndetësore të cilat kanë aplikuar për licencimin e shërbimit të testimeve për SARS-COV-2. Deri më tash sipas të dhënave nga ky bord janë rreth 100 institucione private shëndetësore të cilat kanë aplikuar për t’iu lejuar bërja e testeve serologjike në këto institucione. Krahas testimeve serologjike disa prej këtyre institucioneve kanë aplikuar edhe për të ushtruar veprimtarinë e testimit molekulare apo PCR. Por pjesa dërmuese e aplikacioneve kanë të bëjnë me aplikacione për testime serologjike…Meqenëse është një numër bukur i madh i aplikacioneve do t’i shqyrtojmë brenda kësaj jave, shpresojmë të arrijmë ta përfundojmë punën në mënyrë që ato institucione të cilat i kanë plotësuar kushtet të munden sa më parë të fillojnë me testime”, thotë Hoti.
Hoti tutje u shpreh se ende nuk dihet çmimi i kryerjes së këtyre testeve në laboratorët privatë, por thotë se do të interesohen që çmimet të mund të mbulohen nga qytetarët.
“Çmimet do të përcaktohen nga vetë institucionet sepse e dini që sektori privat i nënshtrohet konkurrencës së tregut të lirë. Natyrisht ministria do të interesohet që këto çmime të mos jenë çmime joreale dhe të atilla të cilat përmbajnë në vete abuzime. Thjesht duhet të përcaktohen çmime që janë reale dhe të cilat kanë mundësi që t’i mbulojnë edhe ata qytetarë që do u drejtohen institucionit privat për kryerjen e ndonjë testi serologjik apo testi molekular. E dini që testet që kryhen në sektorin publik nga IKSHP janë teste që kryhen falas”, deklaroi zëdhënësi i MSH-së. /Insajderi.com/