Rreth 13% të testeve serologjike në Prishtinë rezultojnë pozitive

Rreth 13% të testeve serologjike në Prishtinë rezultojnë pozitive

Rreth 13 për qind e të testuarve me teste serologjike në Prishtinë kanë dalë pozitivë për Covid-19.

Që nga dita e hënë kur edhe hyri në përdorim ky testim, deri më sot janë testuar rreth 600 persona.

Sipas një raporti të OBSH-së, studimet e deritashme me këto lloje të testeve tregojnë për shtrirje të infeksionit nën 10 për qind.

Zyrtarja për emergjenca e OBSH-së në Kosovë, Isme Hymolli, ka thënë se në shumë shtete të cilat kanë bërë teste serologjike, shkalla e pozitivitetit të tyre ka qenë prej 2 deri në 3 për qind. Por, sipas saj, kjo nuk do të thotë që në Kosovë duhet të kemi këtë përqindje, pasi shton se virusi në vend është shumë i shpërndarë.

Megjithëkëtë, ajo ka thënë se rezultatet e testeve serologjike duhet të interpretohen nga specialistë, duhet të ketë metodologji të testimit, si dhe të dallohen kategoritë e personave që janë testuar.

Nga ana tjetër, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se ende nuk kanë ndarje dhe statistika se sa prej të testuarve kanë qenë të shëruar nga COVID-19 dhe sa kanë qenë pacientë që nuk janë testuar më herët. Këto të dhëna ai ka thënë se do t’i publikojnë më vonë. /Insajderi.com/