243 mijë e 428 doza të vaksinës anti-COVID janë dhënë nga fillimi i procesit të vaksinimit deri më tani në Kosovë, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin e fundit 24-orësh të Ministrisë së Shëndetësisë, ku më tej u tha se edhe 60 mijë e 759 qytetarë nga të gjitha qytetet, janë vaksinuar me dozën e dytë.
Kjo shifër e të imunizuarve është arritur me pesë mijë e 271 dozat e vaksinës që janë dhënë brenda ditës së enjte.
Gjatë po së njëjtës ditë janë shënuar dy vdekje nga Coronavirusi. Kjo shifër e viktimave nga COVID-19 nuk është regjistruar në Kosovë që nga data 2 korrik.
Ndërsa, numri i rasteve të reja pozitive ishte më i lartë se i të shëruarve.
Tetë qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virus nga gjithsej një mijë e 721 testime të kryera, ndërsa të shëruar ishin shtatë të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 105 mijë e 412.
“Nga 1.721 testime, 8 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit, është shënuar 2 raste të vdekjes. Sot janë shëruar 7 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105.412. Në total numri i rasteve aktive është 151”, thuhet në njoftimin e MSH-së. /Insajderi.com