Rreth 300 persona nga personeli shëndetësor u vaksinuan gjatë të martës

Rreth 300 persona nga personeli shëndetësor u vaksinuan gjatë të martës

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka deklaruar se rreth 300 persona të cilët janë kryesisht personel shëndetësor, janë vaksinuar gjatë të martës së 30 marsit, njofton Insajderi.

“Sot vaksinimi është zhvilluar në dy qendra të vaksinimit, në Sallën “1 Tetori” ku janë vaksinuar punëtorët e kujdesit parësor shëndetësor të Komunës së Prishtinës dhe qendra e dytë e vaksinimit ka qenë Klinika Infektive ku janë vaksinuar personeli shëndetësor i Klinikës Infektive dhe një numër i konsiderueshëm i shërbimeve të tjera që kryejnë punë në Klinikën Infektive”, ka thënë Hoti për Info Magazine të KK.

Ai ka konfirmuar se deri në ora 14:00 në Klinikën Infektive kanë qenë rreth 100 persona të vaksinuar, derisa deri në orën e njëjtë në Sallën “1 Tetori” janë vaksinuar mbi 100 persona, që do të thotë se diku afro 300 persona, kryesisht personel shëndetësor, i janë nënshtruar procesit të marrjes së dozës së parë të vaksinës kundër COVID-19.

Hoti ka shtuar se procesi i vaksinimit do të vazhdojë ditëve në vijim ku presin një intensitet më të shtuar.

Hoti bëri thirrje te qytetarët që të mos paraqiten te Qendrat e Vaksinimit pa u ftuar paraprakisht, derisa ka thënë se tashmë është në dispozicion platforma elektronike ku qytetarët mund të regjistrohen për ta marrë vaksinën kundër COVID-19 kur t’iu vijë radha duke u varë nga kategoria ku bëjnë pjesë.

“Unë kam qenë i prekur nga COVID-19 dhe do të vaksinohem në mundësinë e parë. Si personel i Ministrisë së Shëndetësisë do të doja që të shoh më shumë të tjerë duke u vaksinuar sesa ne, por në momentin e parë që më ofrohet kjo mundësi do ta bëj pa asnjë hezitim”, shtoi ai. /Insajderi.com