Rreth 400 të prekur nga kanceri në Klinikën e Onkologjisë janë infektuar me Coronavirus

Rreth 400 të prekur nga kanceri në Klinikën e Onkologjisë janë infektuar me Coronavirus

Rreth 400 pacientë të cilët përballen me sëmundjen e rëndë të kancerit dhe të cilët trajtohen në Klinikën e Onkologjisë, janë infektuar me COVID-19.

Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, ka thënë se pacientët e infektuar e kanë tejkaluar këtë sëmundje si një gjendje gripoze.

“Ndonjëri nga ta ka pasur nevojë për hospitalizim qoftë në Klinikën Infektive ose Pulmologjisë, por marrë parasysh rrezikshmërinë dhe seriozitetin e infeksionit me Coronavirus, këta pacientë në përgjithësi kanë kaluar mirë”, ka pohuar ai për EO.

Tutje, Kurtishi ka shtuar se nuk kanë të dhëna se në këtë klinikë ka vdekur ndonjë pacient si pasojë e infektimit me COVID-19.

Sipas drejtorit të Onkologjisë, pacientëve të infektuar u pezullohet trajtimi për kancer deri në dy-tre javë.

“Ata që na lajmërojnë që kanë COVID-19 dhe që janë në trajtim onkologjik ne e pezullojmë mjekimin specifik ose e shtyjmë për dy-tre javë deri sa të kalojnë shenjat e sëmundjes dhe derisa trupi ta merr veten, pra pacienti të ndihet më mirë  dhe në bazë të ekzaminimeve radiologjike ne vendosim se kur është koha e fillimit të mjekimit prapë me ilaçe ose rrezatim tek ata persona të cilët kanë nevojë”, deklaroi Kurtishi./Insajderi.com