Rreth 51% e familjeve kosovare posedojnë së paku një veturë, thotë studimi

Më shumë se 183 milionë euro kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës për blerjen e veturave nga jashtë vetëm gjatë vitit 2018.

Rreth 51% e familjeve kosovare posedojnë së paku një veturë, thotë studimi

Në Kosovë 51 për qind e familjeve posedojnë veturë.

Kështu del nga një analizë e bërë nga portali AutoShkolla Online, kur kanë krahasuar numrin e banorëve në Kosovë dhe numrin e veturave brenda shtetit, njofton Insajderi.

Gjatë vitit 2019 në Kosovë janë të regjistruara 355,829 mjete motorike dhe jo motorike. Nga kjo bëhet e ditur se regjistrimi i automjeteve në raport me vitin 2018 ka pasur rritje për 3/54%.

Më shumë se 183 milionë euro kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës për blerjen e veturave nga jashtë vetëm gjatë vitit 2018.

Në proporcion me blerjen e veturave shumë të rinj i janë nënshtruar edhe testit të autoshkollës për t’u pajisur me patentë shofer.

Pos për blerjen e veturave, qytetarët një shumë të konsiderueshme parash e shpenzojnë më pas edhe për zhdoganim.

Bazuar në të dhënat zyrtare, nga procesi i zhdoganimit të këtyre makinave, Dogana e Kosovës ka arkëtuar afër 58 milionë euro (57 milionë e 953 mijë euro). Prej tyre, rreth 22 milionë euro janë inkasuar vetëm nga taksa doganore dhe akciza, ndërsa 36 milionë euro tjera janë grumbulluar nga TVSh-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar).

Dogana i ka inkasuar afër 10 milionë e 500 mijë euro, vetëm nga zhdoganimi i 3 mijë e 349 veturave të reja – të cilat nuk u nënshtrohen të gjitha taksave. Sipas llogaritjeve i bie që pronarët e veturave të reja, mesatarisht, kanë paguar taksa në vlerë prej 19.4 për qind të çmimit të veturës.

Ndërsa, për zhdoganimin e 17 mijë e 340 veturave të përdorura, të cilat i nënshtrohen taksës doganore, akcizës dhe TVSh-së, qytetarët kanë paguar 47.5 milionë euro. Përkthyer në përqindje, pronarët e këtyre veturave i bie se, mesatarisht, kanë paguar taksa në vlerë prej 36.7 për qind të çmimit bazë të veturës./Insajderi.com