Rreth 80 për qind e grave as nuk kërkojnë punë

Rreth 80 për qind e grave as nuk kërkojnë punë

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), lansoi punimin “Joaktiviteti i grave në tregun e punës: Faktorët që mbajnë gratë jashtë tregut të punës”, transmeton Koha.net.

Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv i D4D-së tha se ky hulumtim jep dritë mbi arsyet se pse 80.2% e grave në Kosovë nuk kërkojnë punë. Për që këto gra të kërkojnë punë ato duhet të fuqizohen dhe të krijohen parakushte për një treg të barabartë për të gjithë.

Ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi Besim Beqaj theksoi rëndësinë e adresimit të jo-aktivitetit në nivel institucional sepse një potencial i madh i fuqisë punëtore nuk shfrytëzohet për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik. Fondi për inovacion i Ministrisë do të ketë një përqindje të konsiderueshme që do të ju takoj grave në mënyrë që grave të ju jepen mundësi më të mëdha.

Gjate diskutimit te zhvilluar, u cek rëndësia se Institucionet e Kosovës gjatë ndarjes buxhetore duhet të marrin për bazë perspektivën gjinore në momentin kur investojnë. Të shohin nëse ajo ndarje buxhetore do të ndihmonte fuqizimin dhe pjesëmarrjen e grave. Gjithashtu rëndësia e eliminimit te barrierave që gratë i kanë për qasje në tregun e punës, në mënyrë që të jenë të barabarta në tregun e punës. Por çka gjithmonë harrohet është që gratë në Kosovë kalojnë 4 herë më pak kohë në punë të paguar, ndërsa 3 herë më shumë në punë të papaguar – do të thotë në punë të shtëpisë.

Ky hulumtim ka treguar se arsyet sociale dhe shoqëror me rolet e përcaktuara gjinore janë arsyet kryesore për jo aktivizimin e grave në treg të punës. Shumica e të anketuarave mendojnë se shkak kryesor i jo aktivizimit të grave në tregun e punës është mentaliteti patriarkal në shoqërinë tonë. Kjo sepse gratë konsiderohen se duhet të përkujdesen ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Riaftësimi i grave që nuk janë aktive për një kohë të gjate kërkon trajnime dhe aftësime adekuate sipas kërkesave të tregut të punës. 76.2 % e grave nuk ju është ofruar asnjë lloj trajnimi për aktivizim në tregun e punës, tek 11.9% e grave trajnimet nuk kanë pasur asnjë ndikim, ndërsa tek 11.9% e grave si shkak i trajnimeve kanë gjetur punë.