Rreth një milion euro investim i kotë i Qeverisë për një platformë

Platforma për regjistrimin e pasurisë publike, “e-Pasuria”, ka dështuar të funksionalizohet plotësisht nga Ministria e Administratës Publike, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e saj. Kjo platformë i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 1 milion euro.

Rreth një milion euro investim i kotë i Qeverisë për një platformë

Qeveria e Kosovës ka shpenzuar gati një milion euro për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e një aplikacioni softuerik për menaxhimin e pasurive publike, i cili nuk kryen funksionin e vet dhe nuk përdoret nga shumë departamente dhe organizata.

Raporti më i fundit i auditimit të performancës i cili është publikuar sot, shfaq se aplikacioni softuerik e-Pasuria nuk ka arritur qëllimin e tij kryesor, për të krijuar një bazë qendrore të unifikuar për menaxhimin efektiv të pasurisë publike.

Këto pasuri publike janë me vlerë më të vogël se 1000 euro, si  mobilie, kompjuterë,  telefona celularë, etj.

“Institucionet Publike janë përgjegjëse  për pasurinë publike për ruajtjen dhe përdorimin e saj në mënyrë të duhur. Ato duhet të menaxhohen mirë dhe të dihet se ku janë. Paraja publike e shpenzuar për ndërtimin e softuereve të tilla duhet të jetë në funskion të shërbimeve më efikase ndaj qytetarëve të Kosovës. Pavarësisht faktit se janë shpenzuar gati një milion euro për zhvillimin e softuerit, ai nuk menaxhohet dhe përdoret si duhet”, ka thënë auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani.

Si rezultat i mungesës së bashkëpunimit midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Administratës Publike, softueri shpeshherë nuk përdoret nga organizatat dhe në disa raste madje janë shpenzuar para shtesë për softuerë paralel të cilët kryejnë të njëjtin funksion.

Gjashtë Organizata Buxhetore të cilat do të duhej ta përdornin softuerin për të menaxhuar në mënyrë efektive pasurinë e tyre, kanë qenë subjekt i këtij auditimi.

Dogana e Kosovës nuk e përdor fare aplikacionin softuerik e-Pasuria. Ministria e  Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe Komuna  e Ferizajt kanë përdorim të kufizuar të këtij aplikacioni, ndërsa Ministria e Punëve Brendshme, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Komuna e Lipjanit, e përdorin në mënyrë më efektive. Gjithashtu, pozitat kyçe që vlerësojnë regjistrimin e pasurisë brenda organizatës nuk e përdorin këtë aplikacion softuerik.

Auditimi ka gjetur se më shumë se 800 përdorues ishin të pa identifikueshëm, të cilët përdornin emra ndryshe prej atyre të autorizuar. Diku 2000 përdorues kishin më tepër se një llogari.

Ministria e Administratës Publike (MAP), përkatësisht Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka hartuar politika dhe procedura për kontrollin e mirëfilltë të aplikacionit e-Pasuria. Prandaj, mungojnë fillimisht njohuritë për nevojën e përcaktimit të përgjegjësive, por edhe rrjedhës se veprimeve që duhet të ndërmarrën për të mundësuar përdorimin e duhur të aplikacionit softuerik, por edhe progresin e tij. Po ashtu mungojnë edhe procedurat për monitorimin dhe kontrollimin e këtij sistemi.

Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që Ministria e Financave dhe Ministrinë e Administratës Publike të ndërtojnë një komunikim të rregullt në mënyrë që të sigurohet shfrytëzueshmëria e plotë e këtij aplikacioni, i cili ka për qëllim regjistrimin e plotë të pasurisë shtetërore me vlerë nen një mijë euro.

Po ashtu, Ministria e Administratës Publike përmes Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit duhet të sigurojë funksionim të aplikacionit softuerik, në mënyrë që përdorimi i tij të jetë i lehtë. Organizatat Buxhetore rekomandohen që ta përdorin aplikacionin ne pajtim me obligimet që dalin nga Rregullorja për Pasuri jo-Financiare.