![“Rrezikonte paratë e klientëve” – Oligarkut Sheqfet Kastrati i është mbyllur banka në Kosovë](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2019/11/shefqet_kastrati-730x440.png)
Oligarkut nga Shqipëria Shefqet Kastrati, i cili edhe gjatë së martës u ka marrë taksë të gjitha automjeteve që nga Kosova u kanë dërguar ndihma të prekurve nga tërmetet në Shqipëri, para disa vitesh në Kosovë i ishte mbyllur banka në të cilën ishte aksionar.
Banka Kreditore E Prishtinës SH.A., në të cilën biznesmeni me prejardhje nga Kukësi, Shefqet Kastrati kishte aksione, ishte mbyllur nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave në Kosovë për shkak se kjo bankë përveç që nuk i plotësonte kushtet e domosdoshme, aksionarët e saj rritnin kapitalin e bankës, duke i rrezikuar paratë e klientëve.
Anëtarët e kësaj banke përfshirë edhe Kastratin kishin kontribuar fuqimisht në përkeqësimin e gjendjes financiare duke u angazhuar në operacione huazimesh me rrezik të lartë
Banka ishte mbyllur përfundimisht me 13 mars 2006, shkruan Insajderi.
“Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK ja) sot i ka ndërprerë licencën Bankës Kreditore të Prishtinës, duke urdhëruar këtë bankë që të ndërpresë të gjitha aktivitetet e saj prej sot, 13 mars 2006 në orën 06:00 të mëngjesit, dhe se duhet t’i mbyllë përfaqësitë dhe zyrat e saj”, thuhej në njoftimin e autoritetit bankar.
Ajo urdhëronte që të pushoheshin nga detyra anëtarët e Bordit Drejtues dhe Menaxhmentin e bankës, si dhe ka urdhëruar të emërohet një mbrojtës i klientëve (likuidator) për të drejtuar bankën dhe mbrojtur interesat e klientëve, thuhet në një komunikatë të Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës.
Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK ja) si mbikëqyrës i bankave komerciale, kompanive të sigurimit, dhe institucioneve financiare, ka konstatuar se Banka Kreditore e Prishtinës (BKP) nuk i plotëson më kushtet e domosdoshme sa i përket kapitalit dhe likuiditetit për të mbrojtur klientët.
“Duke marrë parasysh mospërmbushjen e kërkesave të BPK së nga ana e aksionarëve të Bankës Kreditore te Prishtinës se për të rritur kapitalin e bankës, BPK ja erdhi në përfundim se kjo bankë i rrezikon parat e klientëve. Nuk është vetëm kaq, inspektimi i ndërmarrë nga BPK ja vërteton se disa anëtarë të Bordit të bankës si dhe disa aksionarë kanë kontribuar fuqimisht në përkeqësimin e gjendjes financiare duke u angazhuar në operacione huazimesh me rrezik të lartë”, thuhej në njoftim.
Biznesmeni Kastrati, që pronar i “Kastrati Group”, ka fituar tenderin e mirëmbajtjes së “Rrugës së Kombit”. Që nga viti i kaluar kompania e tij, mbledhë taksa për secilin person që kalon nga rruga e kombit. Ai nuk ka kursyer të martën as rreth 3000 automjete që nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri pjesa më e madhe e tyre që janë organizuar për të ndihmuar të prekurit nga termeti i fuqishëm prej 6.4 shkallë të rihterit.
Nga termeti kanë mbetur të vdekur 27 persona ndërsa mbi 650 të lënduar, ndërkohë që aksioni për kërkim-shpëtim është duke vazhduar edhe në këto momente. Dyshohet se brenda gërmadhave ndodhen edhe të paktën 10 persona. /Insajderi.com