Rreziku i abuzimit me të dhënat personale

Shkruan: Pëllumb Nako

Rreziku i abuzimit me të dhënat personale

Mbledhja, përpunimi i të dhënave me karakter personal në arshiva elektronike dihet që është një proces në zhvillim të shpejtë, i shoqëruar me të mirat dhe problemet e tij. Përveç aspektit teknik tashmë mjaft delikat, ai ligjor i trajtimit të tyre paraqet po aq rëndësi. Kjo sepse bëhet fjalë për të garantuar privatësinë dhe sigurinë e individit, të dhënat e të cilit futen nëpër arkivat në fjalë. Procesi është aq i rëndësishëm saqë përbën një nga pikat kryesore të kapitullit 24 “Drejtësia, Siguria, Liria” në kuadrin e negociatave të ardhshme të vendit tonë me Bashkimin Europian.

Ndërkohë që nga të gjithë dihet se vendet e Bashkimit Europian nuk shkëmbejnë me vendin tonë të dhëna me karakter personal edhe për shtetasit tanë që jetojnë në këto vende. Me përjashtim të rasteve në të cilat shprehen organet e drejtësisë. Sepse standardet nuk përputhen. Ky problem kaq delikat dhe i rëndësishëm që përbën shtyllën kurrizore mbi të cilat ndërtohen institucionet e një vendi, duket se ende nuk është marrë shumë seriozisht prej atyre të vendit tonë.

Janë të panumërta, në këtë drejtim, moskuptimet, keqkuptimet, keqpërdorimet si nga ana e atyre që i kërkojnë për t’i bërë publike këto të dhëna, edhe nga ana e administratave shtetërore e private të cilat ligji i ngarkon t’i ruajnë dhe përpunojnë. Më konkretisht, vite më parë, një person i cili u prezantua si gazetar më kërkoi disa të dhëna. Ai dëshironte t’i vihej në dispozicion lista e pasagjerëve e një avioni i cili kishte fluturuar disa ditë më parë nga Rinasi drejt një qyteti europian.

Kur iu përgjigja se nuk mund ta bëja dot këtë gjë sepse kërkesa kishte të bënte me të dhëna me karakter personal, me ton thuajse arrogant, individi nga ana tjetër e telefonit evidentoi rrufeshëm disa shkelje që sapo i kisha bërë kushtetutës së vendit. Referimi i drejtohej detyrimit për informim të medias. Argumenti i tij “teknik” ishte se lista e kërkuar përmbante identitete personash dhe identiteti i një personi nuk ishte e dhënë me karakter personal e mbuluar nga sekreti. Pasi i dhashë të drejtë për shpjegimin që sapo më kishte shpalosur, i bëra me dije se kur një grup identitetesh që nuk përbëjnë sekret, i hipin avionit dhe kalojnë nga një vend në tjetrin, transformohet në një informacion në të cilin futet nocioni i të dhënave me karakter personal.

Me më shumë zjarr, gazetari e vazhdoi bisedën me kërcënimin se do ta bënte problem këtë refuzim të pakuptimtë. Pasi iu bashkangjita nismës së tij për të vazhduar me lartë ndjekjen e problemit, i mbylla telefonin. Skena u përsërit pas disa javëve. Ndërkohë mbi tavolinën e punës kisha dy shkresa që më ishin dërguar për përgjigje. Të dyja vinin nga dy shkallë hierarkike ku ishte ankuar gazetari. Nxitimthi ai përsëriti kërkesën duke më folur edhe për ankesat që kishte bërë. Dukej se nuk kishte të ngopur në këmbënguljen e tij. Përgjigjia ime mbeti e njëjtë. Do të ta nis edhe me shkrim, i shtova. Por ai vazhdonte dhe shfrynte duke kërkuar patjetër përgjigje.

Në pamundësi të një mirkuptimi mbi ndarjen e konceptit të identitetit nga ai për të dhënat me karakter personal, e pyeta nëse duke i dhënë listën që më kërkonte dhe në të do të shihte gruan e tij që kishte marë pikërisht atë avion pa e njoftuar, përbënte apo jo ky fakt një të dhënë me karakter personal për gruan ? Më pas e garantova për respektin tim të plotë ndaj personit të tij duke e sqaruar se shëmbulli ishte vetëm ilustrativ. Gazetari mbylli telefonin dhe nuk më shqetësoi më. Ngjarja është reale dhe dëshmon sesa delikate janë të dhënat me karakter personal. Ligji ishte i njëjtë për të dy, por leximi i koncepteve ndryshonte.

Ndërkohë, në krahun tjetër, rastet e mosnjohjes së rëndësisë së pasjes së rregullave strikte në përdorimin e të dhënave me karakter personal nga ana e institucioneve kthehet në me problematik. Krijon më shumë rrezik për sigurinë e individit dhe privatësinë e tij. Problem ky që mbetet shumë më delikat në arkivat e shumta elektronike që zotëron policia.

Disa ditë më parë në media u njoftua se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar fillimin e një procedimi administrativ ndaj një numri të madh punonjësish policie të roleve të ndryshëm. Plot 120 syresh. Të gjithë duket se kanë hyrë në sistemin TIMS për të parë të dhënat e një ish-punonjësi policie mbetur i vrarë gjatë një atentati kriminal.

Është e qartë se në radhët e tyre ndodhen edhe një, dy apo disa punonjës që kanë marrë këto të dhëna dhe më pas ia kanë transmetuar gezetarëve. Ky fakt, e ka detyruar Drejtorin të marrë masat disiplinore në kompetencën e tij.

Nga ana tjetër, nuk mund të mendohet se të gjithë ata janë të lidhur me gezetarët. Pra përse kaq shumë punonjës policie kanë konsultuar të dhënat e të njëjtit individ? Për çfarë arsyeje profesionale? Asnjë e tillë nuk egziston. Kjo sepse me arkivat elektronikë në polici ndodh një fenomen i zakonshëm dhe i rëndomte që përsëritet çdo ditë. Pas vrasjes së të ndjerit, shumë nga ish-kolegët e tij janë bërë kuriozë të shohin se kush ishte viktima.

Dhe për këtë iu turrën kompiuterave. Gjithë ky fakt, pra që sistemi konsultohet pa asnjë kriter profesional, por edhe për qoka kafenesh, nuk përbën problem për policinë. Por kur këto qoka bëhen me gazetarë, e zakonshmja kthehet në problem dhe urdhërohet procedimi disiplinor. Kjo nuk është tërësisht korrekte. Punonjësit e policisë sillen me të dhënat në arkivat elektronike si të jetë pronarë të tyre duke u dhënë të drejtën vetes të ngopin sa herë të duan kuriozitetin dhe kërshërinë gjithmonë kur ka ndonjë ngjarje apo edhe thjesht për muhabet në kafe.

Problemet janë dy: I pari, ai që punonjësit e policisë konsultojnë arkivat pa motiv profesional dhe kjo nuk parashikohet si shkelje. Por rrisku i abuzimit në këtë rast është madhor. Dhe problemi i dytë: Transmetimi i të dhënave të individit gazetarëve. Ky rast trajtohet si shkelje. Rasti i dytë është më pak i rrezikshëm. Gazetarët e nxjerin informacionin në media dhe problemi i rjedhjes së informacionit shpërthen. Hetimi disiplinor fillon automatikisht.

Po sikur disa nga këta 120 punonjës t’ia ketë kaluar informacionin bandave kundërshtare të viktimës? Problemi këtu nuk shpërthen dhe identifikimi i tij mbetet çështje fati. Pikërisht ky aspekt tregon qartësisht mangësitë që nuk korrigjohen në polici si rezultat e mungesës së vazhdimësisë së funksionimit të institucionit. Kjo sepse, vite më parë gjatë inspektimeve të shumta të kryera nga ana e ekspertëve të Bashkimit Europian lidhur me menaxhimin e arkivave elektronike, është evidentuar pikërisht mangësia e përdorimit pa motiv profesional i të dhënave elektronike.

Madje rekomandimi i tyre ishte që sa herë që një punonjës i policisë, i autorizuar për të hyrë në një arkiv dhe kërkon të konsultohet me të, duhet që veprimi të shoqërohet me një aplikacion në të cilin ai të jetë i detyruar me rregullore të shënojë shkakun se përse po konsulton të dhënat. Të evidentojë numrin shkresës apo të dosjes për të cilën po kryen verifikimin.

Në mungesë të këtij sqarimi, automatikisht ai ndëshkohet nga ana disiplinore. Dhe këto të konceptohen të rënda. Mesa duket këto rekomandime të mbajtura dikur në proces-verbale janë varrosur përfundimisht diku.

Fakti që ecuria disiplinore u urdhërua të fillojë për transmetimin abuziv të të dhënave për media të ndryshme, por jo edhe sepse u konsultuan pa asnjë motiv profesional, tregon se menaxherët e policisë, nuk i njohin as në koncept të gjitha dimensionet e mundësisë për abuzim me to në arkivat elektronike që zotëron policia.

Transmetimi i tyre abuziv mediave është e keqja më minimale. Rreziku i vërtetë është transmetimi në anën tjetër të barrikadës.