Çka nëse opozita serbe arrin ta rrëzojë Vuçiqin, a do të ndryshonte diçka për dialogun me Kosovën? Gazetari që jeton në Beograd, Idro Seferi, tregon për protestat maratonike të partive opozitare që përbëhet nga ekstreme të ndryshme partish në Serbi.

Që nga 30 nëntori i 2018-s opozita në Serbi po proteston në Beograd kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq po akuzohet se ka ‘mbytur’ lirinë e fjalës. Pas 13 javëve protesta para Presidencës, së fundmi protestuesit kanë ndryshuar lokacionin e protestave, ata i’a mësyen Radio Televizionit të Serbisë, për shkak se sipas tyre ky televizion është i kapur nga presidenti Vuçiq pasi protestat që ata po i realizojnë nuk po transmetohen në RTS.
Në lidhje me protestat që po mbahen tash e ca kohë në Serbi për Insajderin ka folur gazetari kosovar i akredituar në Serbi, Idro Seferi.
Seferi ka thënë se protestat para televizionit publik kanë qenë të arsyeshme për shkak se shumica konsiderojnë që presidenti Vuçiq ka kontroll në shumicën e medieve.

Gazetari, Idro Seferi
“Gjatë gjithë protestave ka qenë e natyrshme dhe kanë shkuar pran televizionit publik të Serbisë për të protestuar, për shkak që shumë njerëz konsiderojnë që Vuçiq ka në kontroll shumicën e mediave dhe po ashtu sidomos pas raporteve të Freedom House është intensifikuar ideja që Serbia është një vend gjysmë i lirë dhe kanë protestuar zakonisht për shkak që thuhet që nuk transmetojnë protestat që ndodhin në Serbi dhe shumë media i kanë kritikuar ato për shkak që i organizon opozita dhe një pjesë e tyre konsiderohen si njerëz që kanë qenë në pushtet dhe kanë mashtruar popullin në Serbi”, ka thënë ai, shkruan Insajderi.
Gazetari Seferi thotë në natën kur protestuesit u futën në Radio Televizionin e Serbisë kishte mjaftë tension dhe ishte hera e parë që krijohej një tension i tillë prej shumë vitesh protesta në Serbi.
I pyetur se a do të mundet opozita ta rrëzojë presidentin, Alekandar Vuçiq, ai u shpreh do të jetë e vështirë të ndodh diçka e tillë.
“Do të jetë e vështirë që këto protesta ta rrëzojnë presidentin Vuçiq, megjithëse natyrisht politika nuk do të jetë njësoj pas këtyre ngjarjeve, edhe pse forca e opozitës konsiderohet mjaftë e vogël në këtë situatë”, u shpreh ai.
Seferi gjatë intervistës ka folur edhe për grupin “Lidhja për Serbinë”, si dhe për atë se a e kanë të gjitha partitë brenda këtij grupi qëllimin e njëjtë. Si dhe për atë se a e kanë qëndrimin e njëjtë si opozita dhe Vuçiqi karshi Kosovës./Insajderi.com
Intervista e plotë: