
Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës ju ka bërë thirrje subjekteve politike që të respektojnë ligjin për barazi gjinore në listat për kandidatë për deputet, që ti ofrohet mundësi të barabarta edhe për burrat edhe për gratë.
“Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës duke konsideruar barazinë gjinore si parim themelor të të drejtave të njeriut, dhe njëkohësisht duke iu bashkangjitur deklaratës së Avokatit të Popullit, iu bën thirrje subjekteve politike që të respektojnë Ligjin nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe në listat e kandidatëve të cilat i dorëzohen Komisionit Qendror Zgjedhor të ofrojnë mundësi të barabarta për burrat dhe për gratë”, thuhet në reagimin e RrGGK-së.
Grupi i Grave ia ka kujtuar partive politike se çka thekson neni i këtij ligji.
“Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji”, thuhet tutje në reagimin e Rrjetit të Grupit të Grave.
Rrjeti i Grupit të Grave pret që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të respektoj parimin e barazisë gjinore.
“RrGGK pret që subjektet politike dhe KQZ të respektojnë parimin e barazisë gjinore duke siguruar përfaqësim prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, ashtu siç e garanton Ligji nr. 05/L-020, si dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të reagimit të Rrjetit të Grupit të Grave . /Insajderi.com