RrGK kundërshton dënimin prej 25 vitesh ndaj Nuhi Mavrovqanit për vrasjen e gruas, kërkon burgim të përjetshëm

RrGK kundërshton dënimin prej 25 vitesh ndaj Nuhi Mavrovqanit për vrasjen e gruas, kërkon burgim të përjetshëm

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kundërshtuar dënimin prej 25 vitesh ndaj Nuhi Mavrovqanit për vrasjen e gruaj së tij, duke kërkuar që ai të dënohet me burgim të përjetshëm, njofton Insajderi.com.

Përmes një komunikate, RrGK i ka bërë thirrje Gjykatës Supreme që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe dënimin ta kthejë në atë paraprak, i cili ishte me burgim të përjetshëm.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për vendimin e  sotëm të Gjykatës së Apelit për të ulur dënimin e përjetshëm në 25 vjet për Nuhi Mavrovqanin, i cili në korrik të vitit 2020 vrau bashkëshorten e tij S.M me shufër metalike.

Mirëpo, sot përsëri po dëshmojmë se kur flasin për vrasjet e grave, drejtësia po mbyll sytë.Andaj, përmes kësaj kumtese, RrGK i bën thirrje Gjykatës Supreme si instancë më e lartë se ajo e Apelit që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe dënimin ta kthejë në atë paraprak, pra në dënim me burgim të përjetshëm”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, RrGK është shprehur se vetëm me dënime të tilla do të binden se vendi, institucionet e drejtësisë dhe ato të mbrojtjes janë në krye të detyrës sa herë që trajtohet dhuna e vrasjet e grave.

“Vetëm kështu ne do të bindemi se vendi ynë, institucionet e drejtësisë e ato të mbrojtjes janë në krye të detyrës sa herë që trajtohet dhuna e vrasjet e grave.RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private”, thuhet tutje.

Nuhi Mavrovqani është dënuar të martën me 25 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij S.M.

Sipas njoftimit të Gjykatës, vrasja ka ndodhur më 25 korrik të vitit 2020, në fshatin Berivojcë të Kamenicës, kur i pandehuri për shkak të një fjalosjese me viktimën, e kishte goditur atë me shufër metalike./Insajder.com