Shkon në gjashtë numri i të prekurve me COVID-19 në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, flet Nehat Thaçi

Shkon në gjashtë numri i të prekurve me COVID-19 në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, flet Nehat Thaçi

Edhe katër punonjës të Shërbimit Korrektues të Kosovës në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë janë infektuar me koronavirus (COVID-19) dhe të njëjtit janë vetë-izoluar, ka thënë sot Nehat Thaçi, drejtor i ShKK-së.

Tre nga punonjësit e infektuar janë zyrtar të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, ndërkaq një tjetër është punonjëse shëndetësore.

Në total, numri i punonjësve të prekur me COVID-19 në këtë qendër korrektuese ka shkuar në gjashtë.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, udhëheqësi i ShKK-së, Nehat Thaçi ka thënë se katër të infektuarit e fundit janë raste kontakti të dy rasteve të para të regjistruar me koronavirus në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

“Masat i kemi ndërmarrë pasi i kemi identifikuar dy zyrtarët e parë me COVID-19. Atë ditë u janë bërë testet 21 zyrtarëve të tjerë korrektues. 18 prej tyre kanë dal negativ, tre të tjerë kanë dal pozitiv me koronavirus. Bëhet fjalë për ditën e nesërme, më 1 prill”, ka thënë Thaçi për Insajderin.

Ai ka deklaruar se të gjithë zyrtarët korrektues dhe të burgosurit në këtë qendër paraburgimi u janë nënshtruar testeve për koronavirus.

“Më 2 prill i kemi bërë testet për 42 të burgosur në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë. Të gjithë kanë dal negativ”, ka thënë drejtori  i burgjeve të Kosovës. “Tani, pesë të infektuarit janë në vetë-izolim, ndërsa gjendja po mbahet nën kontroll”.

Ai, po ashtu ka konfirmuar se nga 13 marsi 2020, kur edhe janë shënuar dy rastet e para të prekura me Covid-19, e deri më 6 prill 2020, nëpër institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit janë pranuar gjithsej 67 persona të rinj, të cilët janë dërguar menjëherë në karantinë për 14 ditë. /Insajderi.com