1702 të vdekur (deri me datën 14 mars). Rënie ekonomike. Zvogëlim i shkëmbimeve tregtare.
Këto janë vdekjet dhe problemet e tjera të shkaktuar nga COVID-19 në Kosovë.
Por, jo të vetmet. Problem në vetvete – i madh madje – është kthyer izolimi i njerëzve, ndonjëherë nga masat e herë të tjera nga frika e infektimit.
Në këto rrethana dhe ndryshime drastike të jetës, te shumë njerëz janë shfaqur edhe probleme mentale.
Në Kosovë numri i vetëvrasjeve vitin që lamë pas ka shënuar rritje të madhe. 37 persona i kanë dhënë fund jetës së tyre – 11 më shumë se në vitin 2019.
Nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi kanë bërë të ditur se rajonet me më së shumti vetëvrasje të kryera në vitin paraprak janë ai i Pejës dhe Gjilanit.
Se pandemia ka ndikuar në shëndetin mendor të njerëzve, e thotë edhe psikologja Lorela Garuli.
Ajo në një prononcim për Insajderi-n tha se jo vetëm tek të infektuarit, por probleme me shëndetin mendor mund të kenë edhe ata që kanë humbur të dashurit apo punën gjatë pandemisë dhe ata të cilët kanë pasiguri ekonomike.
Duke folur për shkaqet të cilat shtyjnë deri te vetëvrasja, Garuli tha se në thelb qëndron fataliteti dhe mungesa e shpresës.
“Vetëvrasja është simptoma më e rëndë dhe pa kthim e gjendjeve të alteruara të shëndetit mendor. Shkaqet janë të ndryshme dhe shpesh herë individët kryejnë vetëvrasje pas shumë tentativave”.
Sipas saj, ka disa elemente të cilët individët i shfaqin para se të kryejnë këtë akt.
“Ata thonë fraza të tipit: ‘Jeta nuk ka kuptim’, ‘Nuk ka vlerë’”, ndërsa shtoi se ajo që ne mund të bëjmë është “përveç se t’u qëndrojmë pranë, t’i sugjerojmë të shkojnë tek një profesionist i shëndetit mendor”.
Garuli pohoi se tentativat për vetëvrasje nuk janë për të tërhequr vëmendje, “siç perceptohet disa herë, por është forma më e lartë e lëndimit të vetes”.
Ajo në fund pati edhe një kërkesë për qeverinë e ardhshme, e cila pritet të zgjedhet pas 14 shkurtit.
“Qeveria e ardhshme duhet që krahas shëndetit fizik, ta ketë fokusin edhe te shëndetin mendor. Është e rëndësishme të vihen në dispozicion shërbime sociale dhe psikologjike shtetërore, e mira është që të jenë falas, që të gjithë të kenë qasje”.
Ndonëse pa përkrahjen e shtetit, por në mënyrë krejtësisht vullnetare, një grup prej 30 personash janë angazhuar në një projekt të titulluar “Linja e Jetës”.
Për t’i parandaluar vetëvrasjet në vendin tonë, në linjë, vullnetarë të trajnuar nga ekspertë internacional i përgjigjen telefonatave të personave të cilët kanë mendime për të kryer një akt të tillë.
Drejtori i kësaj qendre telefonike, Bind Skeja, tha për Insajder-in se çdo thirrje është plotësisht anonime dhe trajtohet pa gjykime nga ana e vullnetarëve.
Ndonëse funksionojnë nga viti 2019, Skeja thotë se në këtë qendër numrin më të madh të thirrjeve e kanë pranuar në fillim të pandemisë.
“Kur ka qenë gjithçka e mbyllur, kemi pasur një valë të thirrjeve”, tha ai, teksa shtoi se kjo ka ndodhur për shkak të kampanjave të realizuara gjatë asaj kohe.
Sipas tij, nevoja për shërbimet e kësaj qendre është shumë aktuale, por mungon informimi i shoqërisë lidhur me atë se çka ata ofrojnë.
“Për shkak se deri në këtë muaj nuk kemi pasur buxhet për marketing, numri i thirrjeve ka ndërruar drastikisht. Ka ditë që nuk ndalet telefoni e ka ditë kur nuk ka thirrje”, tha tutje Skeja.
Për ta luftuar këtë kauzë shoqërore, ai tha se në rend të parë duhet të sfidohet stigma ndaj shëndetit mendor.
“E konsideroj si diçka kyçe për ta ulur numrin e vetëvrasjeve. Duke ju bashkëngjitur edhe zhvillimeve në nivel qeveritar. Kosova për momentin nuk ka plan për parandalimin e vetëvrasjeve – diçka që shtetet perëndimore veç se e kanë zhvilluar në bashkëpunim me organizatat joqeveritare”./Insajderi.com