
Për 10 centë më shtrenjtë do ta blejnë bukën kosovarët.
Vënia e taksës prej 10 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës ka ndikuar në rritjen e çmimit të bukës. Ky çmim në disa qytete është rritur për 5 centë, ndërsa disa të tjera për 10 centë, raporton KTV.
Krejt kjo si pasojë e rritjes edhe të çmimit të grurit, i cili hyn nga Serbia kryesisht nga Vojvodina.
Sipas mullisëve deri tash gruri, i cili është blerë nga Serbia ishte 18 centë e tani atë e blejnë për 24 centë.
Faktor tjetër, i cili ka ndikuar që kosovarët ta paguajnë më shtrenjtë bukën është edhe rritja e çmimit të grurit në berza dhe çmimi i naftës.
Ky çmim nuk do të jetë përfundimtar pasi që mullisët paralajmërojnë rritje edhe më shumë pasi në krahasim me rajonin, në Kosovë çmimi i bukës është më i liri.
Për mbrojtësit e konsumatorëve vendimi i Qeverisë për masa mbrojtëse do të sjellë rritje çmimesh edhe të produkteve të tjera.
Në Federatën e Bujqve janë për taksën e vendosur për 10 për qind ndaj këtyre dy shteteve.
Megjithatë, thonë se Qeveria është dashur t’i subvencionojë mullisët në mënyrë që kjo rritje të mos prekte xhepin e konsumatorit.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, u zotua se vënia e taksës për 10 për qind nuk do të ketë efekt në ngritjen e çmimeve.