“Rritja e numrit të psikologëve e pedagogëve në shkolla – e domosdoshme”

“Rritja e numrit të psikologëve e pedagogëve në shkolla – e domosdoshme”

Ismet Potera nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, po e sheh të domosdoshëm planin e kryeministrit Albin Kurti për shtimin e numrit të psikologëve dhe pedagogëve nëpër shkolla, transmeton Insajderi.

Potera ka thënë se kompletimi i shkollave me një staf psiko-pedagogjik është shumë i domosdoshëm, sado që nuk i zgjidhë të gjitha problemet.

“Kompletimi i shkollave me këtë stafin profesional ose shërbimin psiko-pedagogjik është shumë i domosdoshëm por nuk i zgjidh problemet, për shkak se edhe më parë në shkollat ku i kanë dy kuadrot kanë probleme të tjera. Kështu që do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për mësimdhënësit sepse do ta kenë një mbështetje profesionale, ndërsa nuk e zgjidh problemin në përgjithësi por është më mirë që një segment së paku të rregullohet sesa të mos rregullohet fare”, theksoi Potera për EO, duke shtuar se një zgjidhje e tillë do të ndihmonte edhe pedagogët e psikologët të cilët janë shkolluar por sot punojnë punë të tjera.

“Do të ishte një zgjidhje shumë e mirëseardhur për ata pedagogë dhe psikologë që kanë kryer shkolla dhe sot ose punojnë punë të tjera dhe nuk janë duke punuar për atë të cilën janë të përgatitur dhe do ishte një hap shumë i mirë, edhe pse qysh në vitin 2016 është hartuar një plan administrativ për kompletimin e këtij shërbimi nëpër shkolla mirëpo në një mënyrë ju është lënë komunave që nëse kanë buxhet ta realizojnë, por nëse Qeveria ndan një buxhet të veçantë do ishte lehtësim për komunat. Dhe nuk është vetëm kjo pasi sot shkollës i duhet sociologu, i duhet mjeku e komplet shërbimi që pothuajse është e pamundur me këtë buxhet që kemi”, tha Potera.

Ekspertja tjetër e arsimit, dhe njëherit Drejtoresha Ekzekutive në “Edutask”, Bardha Qirezi e sheh si të nevojshme në përkrahje të nxënësve.

“Kjo është e domosdoshme dhe mënyra se si do të zbatohet kjo nismë ose intervenim është shumë e rëndësishme. E para e punës psikologët në shkolla janë të nevojshëm për shkak se ata përkrahin jo vetëm nxënësit por edhe mësimdhënësit, roli i psikologëve në shkolla në shumë vende kryesisht koncentrohet për të përkrahur nxënësit që ata të kenë sukses akademik por edhe ti përkrahin me sjellje, me shëndetin mendor dhe aspektet emocionale që mund t’i kenë”, deklaroi Qirezi. /Insajderi.com