Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar dënim maksimal për të dyshuarit e vrasjes ndaj 18 vjeçares në Ferizaj.
Tash për tash është arrestuar një person dhe një tjetër është në kërkim.
“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave. Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve”., thuhet në komunikatë.
“Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurrfarë llogaridhënie? Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin”, vazhdon reagimi.
Ndërsa policia është duke e kërkuar njërin nga të dyshuarit.
Të dielën është raportuar se një vajzë 18 vjeçare është dërguar e vdekur në Spitalin Rajonal të Ferizajt. /Insajderi.com