Rrjeti i Grave kërkon dënimin maksimal të fajtorëve për vrasjen e 18-vjeçares

Rrjeti i Grave kërkon dënimin maksimal të fajtorëve për vrasjen e 18-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar dënim maksimal për të dyshuarit e vrasjes ndaj 18 vjeçares në Ferizaj.

Tash për tash është arrestuar një person dhe një tjetër është në kërkim.

“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave. Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve”., thuhet në komunikatë.

“Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurrfarë llogaridhënie? Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin”, vazhdon reagimi.

Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se “dhuna nuk duhet të normalizohet”.

Ndërsa policia është duke e kërkuar njërin nga të dyshuarit.

Të dielën është raportuar se një vajzë 18 vjeçare është dërguar e vdekur në Spitalin Rajonal të Ferizajt. /Insajderi.com