Rrustem Mustafa kërkon lirim të parakohshëm nga burgu

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, i njohur me nofkën “Remi” ka kërkuar nga Paneli për lirim me kusht që ta lirojë atë nga burgu. Pretendon se i plotëson të gjitha kushtet sic është vuajtja e dy të tretave të dënimit; se nuk do të kryej më vepër penale. Përkundrazi, sipas kërkesës, Mustafa ka qenë dhe është i përkushtuar për ndërtimin e një shteti ligjor.

Rrustem Mustafa kërkon lirim të parakohshëm nga burgu

Rrustem Mustafa, po kërkon që mos ta vuaj pjesën e mbetur të dënimit me burgim prej katër vjetësh. Ai ka kërkuar nga Paneli për lirim me kusht që ta lirojë nga burgu i Smrekonicës ku po e kryen vitin e fundit të dënimin me burgim për krime.

Mustafa, i dënuar me katër vjet burgim tashmë ka vuajtur dy të tretat e shqiptuara. Ai ka shkuar në vuajtje të dënimit në fillim të këtij viti pasi Gjykata e Apelit vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë. Bashkë me të janë dënuar edhe Latif Gashi me gjashtë vjet burgim dhe Nazif Mehmeti me tri vjet.

Në kërkesën e ushtruar nga avokati i tij, Aziz Rexha, thuhet se tashmë janë plotësuar kushtet që Mustafa të lirohet me kusht. Është thënë se ka vuajtur dy të tretat e dënimit, se qëllimi i dënimit është arritur.

Avokati garanton se Mustafa nuk do të kryej më asnjë krim, përfshirë krime lufte sepse sipas tij, lufta ka përfunduar dhe nuk do të përsëritet më në Kosovë.

Ka garantuar po ashtu se Mustafa nuk do të kryej kurrfarë vepre penale. Bile sipas tij, Mustafa ka qenë dhe është i përkushtuar për ndërtimin e një shteti ligjor dhe sundim të ligjit.

Pos kësaj, në kërkesë thuhet se gjendja shëndetësore e ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, është rënduar prej se ka shkuar në burg. Avokati ka thënë se Remi kishte pësuar një aksident të rëndë komunikacioni pak kohë para se të niste vuajtjen e dënimit. Si pasojë ka thyer disa brinjë dhe ka pësuar lëndime tjera trupore.

Një argument tjetër për lirimin e Remit është përmendur edhe fakti se është familjar i ri dhe se familja e tij ka nevojë për të.

Më 8 janar 2016, Rrustem Mustafa kishte kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të lëshonte urdhrin për dërgimin e tij në vuajtje të dënimit. Ai kishte përcaktuar se në cilin burg do të shkonte: në atë të Smrekonicës, që është burg i hapur.

“Janë shumë prova që vërtetojnë faktet jashtë çdo dyshimi të bazuar dhe rrethana tjera se Rrustem Mustafa nëse mbrohet në liri në të ardhmen, nuk do të kryej vepër të re penale të natyrës për të cilën është gjykuar sepse me siguri të plotë mund të konkludohet se ka përfunduar lufta dhe ajo më në Kosovë nuk do të përsëritet”, thuhet në kërkesën për lirim me kusht të dorëzuar në Panelin për lirim me kusht.

20160704_095435

Sipas kësaj kërkese, qëndrimi dhe sjelljet e Remit në të kaluarën edhe tani janë argument i mjaftueshëm se nuk mund t’i ndodh që të kryej ndonjë vepër penale sepse kjo nuk është mënyra e sjelljes dhe të jetuarit të tij.

“Para këtij rasti ai asnjëherë më parë nuk ka ardhur në konflikt me Ligjin, përkundrazi në mesin ku ka jetuar është shkolluar dhe përgjithësisht në shoqëri ka qenë shembull për të mirë, duke u angazhuar me aktivitete të ndryshme, gjithmonë në interes të vendit, përfshirë këtu edhe periudhën kohore para daljes publike të UÇK-së, themelues dhe pjesëtar i të cilës ka qenë ai vetë, prej formimit të celulave të para të luftës për liri”, pretendohet në këtë kërkesë.

Në kërkesë thuhet se gjatë kësaj kohe, Rrustem Mustafa u angazhua dhe dha kontribut të pakontestueshëm me organizimin e institucioneve shtetërore në Kosovë dhe “mu për këto arsye ai ishte deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës në dy mandate, duke qenë ndër më i votuari në subjektin politik që i takon”.

“Nga kjo që u theksua më sipër por edhe nga kontributet e tij të shumta të cilat nuk janë përmendur jashtë çdo dyshimi rezulton se e kaluara e z. Rrustem Mustafa tregon më së miri se nuk është i prirë të kryej çfarëdo vepre penale apo çfarëdo akti tjetër të kundërligjshëm, sepse ai prej fillimit ka qenë dhe është i përkushtuar në zbatimin dhe sundimin e ligjit”.

Më 6 nëntor 2015, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin me katër vjet burgim të ish-komandantit të Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa – Remit dhe dënimin me gjashtë vjet burgim të ish-shefit të inteligjencës në këtë zonë, Latif Gashit i njohur si Lata.

Më tri vjet burgim është dënuar edhe ish-shefi i Policisë Ushtarake, Nazif Mehmeti – Dini.

Pas vërtetimit të dënimit, Rrustem Mustafa e Latif Gashi humbën mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Ata janë anëtarë të lartë të Partisë Demokratike.

Mustafa dhe Gashi janë duke vuajtur dënimin në Burgun e sigurisë së ulët në Smrekonicë. Prej vitit 2013, me hyrjen në fuqi të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, burgu është krejtësisht i hapur.

Në këtë burg nuk ka barriera fizike. Nuk ka roje të armatosura. Nuk ka as monitorim me kamera./Insajderi.com