Rrustem Mustafa, i cili aktualisht mban pozitën e këshilltarit të Presidentit Thaçi, në deklaratën e pasurisë të dorëzuar në Agjencinë Anti-Korrupsion ka fshehur shumën e të hyrave që përfiton nga qiraja, raporton EkonomiaSot.
Sipas ligjit për deklarimin e pasurisë, secili zyrtar publik që mban pozitë të lartë është i obliguar që të bëjë deklarimin e pasurisë, si dhe të të hyrave vjetore.
Mirëpo për një objekt prej 1,000 metrash katrorë, të cilin e ka të lëshuar me qira për Telekomin e Kosovës, ai nuk ka deklaruar fare të hyra. Në vend të deklarimit të rregullt, Mustafa vetëm e ka përmendur si koment, në faqen e fundit të deklaratës se e ka objektin e lëshuar me qira për PTK. Por as aty nuk e ka cekur shumën se sa janë ato të hyra.
Mirëpo nëse bazohemi në një deklaratë të mëhershme, sa ishte deputet në vitin 2014, aty shihet se shuma e deklaruar është 96 mijë euro. Megjithëse edhe aty shpalosjen e informatës e ka bërë si koment në faqen e fundit, e jo si deklarim ashtu si e kërkon ligji.
Telekomi i Kosovës aktualisht po përballet me vështirësi të mëdha financiare, dhe rrezikon të shkojë edhe në falimentim, si rezultat i keqmenaxhimit, mbi-punësimit, dhe kontratave abuzive. Poashtu, barrë e madhe financiare janë edhe kontratat e qirave që telekomi paguan për hapësira afariste dhe antena, të cilat kanë kosto shumëfish më të lartë se çmimet e tregut.