Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Ushtruesin e detyrës së Kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, se ka keqpërdorur buxhetin e komunës vazhdimisht. Zyra për informim e Rudarit i ka mohuar akuzat. Madje, në një shpjegim dhënë Gazetës Online Insajderi, ata kanë dërguar edhe dokumente për të treguar se nuk qëndrojnë akuzat e PDK-së.
Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, Naim Fetahu, për keqpërdorime të buxhetit në këtë komunë.
Nga zyra për komunikim me media e Rudarit, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, kanë arsyetuar çmimet e pajisjeve të blera gjatë kohës së pandemisë, për të parandaluar përhapjen e virusit Corona, procedurat e blerjes të së cilave është zhvilluar në bazë të sistemit online dhe dokumentet janë të qasshme për publikun.
“Podujeva është komunë kufitare, ku gjendet edhe pika e kalimit kufitar në Merdar, kurse pajisjet mbrojtëse, të përmendura, janë blerë për furnizim të ekipit mjekësor që kujdestaronte në pikën kufitare, për identifikimin e personave që hyjnë në Kosovë, të dyshuar me Covid-19. Bazuar në situatën pandemike blerja e pajisjeve dhe autoambulancës është bërë me procedurë të negocimit dhe secila procedurë është zhvilluar në bazë të sistemit online dhe dokumentet janë të qasshme për publikun”, janë shprehur nga kjo zyrë.
Madje, me dëshmi tregojnë se materialet për të cilat janë akuzuar që kanë keqpërdorur buxhetin, në të njëjtën vlerë janë blerë edhe nga komuna të tjera të Kosovës, si Mitrovica, Prizreni dhe Fushë Kosova.
“Nga ditët e para të shfaqjes së pandemisë, veçanërisht nga shpallja e emergjencës shëndetësore, jemi mobilizuar me tërë potencialin dhe mekanizmat që posedojmë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve llapjanë dhe në këtë kohë janë blerë këto blerje. Bashkangjitur gjeni edhe dëshmi për furnizime me të njëjtin material nga komuna e Mitrovicës, Prizreni dhe Fushë Kosova”, thuhet në përgjigjen e tyre derisa demantuan përmendjen e “skadaleve” nga ana e PDK-së, nga ku u tha se “Një palë doreza të thjeshta, komuna i ka blerë me 14 euro. Ndërsa, një palë rroba njëpërdorimëshe me 28 euro. Poashtu, autoambulancën që komunat tjera e kanë paguar me 33 mijë euro, komuna e Podujevës e ka blerë me 60 mijë euro, dyfishin e çmimit”.
Në raportin e publikuar dje nga i pari i PDK-së në këtë komunë, në një konferencë për media, u tha se “Komuna e Podujevës për riparimin e rrugëve të asfaltuara kishte lidhur kontratë kornizë më 28.06.2018 me afat deri më 28.10.2019. Edhe pse kjo kontratë kishte skaduar komuna kishte vazhduar me porositje të shërbimeve duke tejkaluar dy pozicione në vlerë 4,477€”.
“Me të gjitha këto shkelje, të cilat i ka vërtetuar edhe Raporti i Auditorit, Nexhmi Rudari vetëm ka vazhduar një qeverisje të keqe 20 vjeçare të LDK-së. Për më tepër, ai dëshmuar se nuk është i gatshëm dhe as i kualifikuar për të udhëhequr me komunën”, ka thënë më tej Fetahu, për çka fton Prokurorinë e Shtetit që urgjentisht të hetojë këto, siç i quan ai, “skadale dhe shkelje”.
Edhe për këtë çështje është dhënë një sqarim.
Nga ana e Rudarit thonë se vonesat në realizmin dhe përmbylljen e kontratës kornizë, kanë ndodhur për arsye se rruga e planifikuar ka qenë e vetmja rrugë, e cila është përdorur nga kompania, e cila ka realizuar punimet në ndërtimin e shtratit të lumit Llap.
“Teknikisht nuk ka qenë e mundur që dy projekte të zhvillohen në të njëjtën kohë dhe në këtë rast i është dhënë përparësi punimeve në shtratin e lumit Llap, për shkak se kushtet atmosferike ishin të pafavorshme. Rruga në fjalë është e ngushtë dhe qarkullimi i mjeteve motorike të kompanisë, të angazhuara në realizimin e projektit të shtratit të lumit do ta dëmtonin këtë rrugë. Menjëherë pas përfundimit të punimeve në shtratin e lumit, kjo rrugë është asfaltuar”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të kësaj komune drejtuar redaksisë. /Insajderi.com