Rugova: LDK duhet t’ia bëjë kuorumin Osmanit për presidente

Rugova: LDK duhet t’ia bëjë kuorumin Osmanit për presidente

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se partia e tij duhet të qëndrojë në sallën e Kuvendit në ditën e votimit të presidentit, transmeton Insajderi.

Ai ka thënë se kur LDK-ja e ka votuar për president Hashim Thaçin, “pse mos t’ia bëjë kuorumin Osmanit”.

Rugova tutje është shprehur se ndonëse ka dallime ideologjike me kryeministrin e zgjedhur, Albin Kurtin por edhe me kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin, duhet të respektohet vota e sovranit në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

“Kemi rritje të numrit të rasteve me COVID-19. Nuk do të doja që vendi të shkojë në zgjedhje sërish. Edhe pse mund të kritikohem për qëndrimet e mia, grupi parlamentar i LDK-së duhet ta bëjë kuorumin pas bisedave me Osmanin, kandidate për presidente”.

“Nuk ka asgjë të keqe, nëse LDK e ka ngrit dorën për Thaçin, pse mos t’ia bëjë kuorumin Osmani?”, është shprehur Rugova në Edicionin Special në Klan Kosova./Insajderi.com