Rugova: Nuk do të lejojmë më që kryetari i LDK-së të zgjidhet në tavolinë

Rugova: Nuk do të lejojmë më që kryetari i LDK-së të zgjidhet në tavolinë

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga pozita e kryetarit të kësaj partie, ka thënë se pasuesi i tij nuk do të zgjidhet më në tavolinë, ndërsa ka shtuar se nuk do të lejojnë që të zgjedhjet “dikush që përfaqëson vetëm interesa grupesh e klanesh”, njofton Insajderi.

Rugova është shprehur i zhgënjyer me “kursin që po përpiqen të shtrojnë njerëzit që e sollën LDK-në në këtë gjendje të mjerueshme”.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se njerëzit që e kanë sjellë partinë në këtë gjendje nuk duhet të kenë as edhe një rol të vetëm në procesin e rimëkëmbjes së partisë

“LDK ka ardhur në këtë gjendje si rezultat i lojërave të këtyre njerëzve, që nuk kanë vlerësuar veprimtarët dhe që partinë e kanë trajtuar si biznes privat.

Nuk do të lejojmë më që Kryetari të zgjidhet në tavolinë, nuk do të lejojmë që Kryetar të zgjidhet dikush që përfaqëson vetëm interesa grupesh e klanesh. Mjaft më me këto eksperimente të poshtra dhe anti demokratike. Klanet dhe lojërat tuaja na kanë sjellë në këtë pikë? Çfarë doni më shumë? Doni të biem nën prag zgjedhor?”, ka shkruar ndër të tjera Rugova./Insajderi.com