Rugova paralajmëron largimin e Listës Serbe nga koalicioni: Zgjedhjet janë të pashmangshme

Rugova paralajmëron largimin e Listës Serbe nga koalicioni: Zgjedhjet janë të pashmangshme

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka paralajmëruar largimin e Listës Serbe nga koalcioni qeverisës, ndërsa ka shtuar se veprimet e tyre janë tregues se ata po punojnë kundër Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Sipas tij, largimi i kësaj partie si dhe mosarritja e një marrëveshje mes partive politike, janë arsyet që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

“Dje në Beograd u pa qartë që lista serbe nuk e sheh më veten pjesë të koalicionit. Veprimet e tyre destruktuve në Kuvend janë po ashtu tregues që ata tashmë punojnë kundër qeverisë Hoti. Shto kësaj edhe pamundësinë për marreveshje rreth Presidentit dhe bëhet e qartë që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme”, ka shkruar Rugova në profilin e tij në Facebook.

Tutje, ai është shprehur se nëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës duan organizimin e zgjedhjeve, atëherë duhet të votojnë buxhetin.

“Afati i fundit për votimin e buxhetit është Marsi i vitit 2021. Nëse VV dhe PDK vërtet duan zgjedhje atëherë duhet votuar buxhetin, përndryshe do të jenë përgjegjëse për bllokadën totale financiare të vendit me 1 Prill 2021”, ka shkruar ndër të tjera anëtari i LDK-së./Insajderi.com