Rukiqi: E padrejtë kërkesa e partive për respektim të masave

Rukiqi: E padrejtë kërkesa e partive për respektim të masave

E padrejtë të kërkohet nga qytetarët respektimi i masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, derisa partitë politike po mbajnë tubime publike në prag të zgjedhjeve, njofton Insajderi.

Kështu është shprehur kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili e quajti hipokrizi nga ana e institucioneve të cilat po bëjnë thirrje për respektim të ligjit, kurse këtë të fundit vetë po e shkelin atë.

I pari i OEK-ut, mes tjerash, ka kërkuar që këtë javë të ketë lirim të masave dhe së paku të hiqet ora policore si dhe të zgjatet orari i punës.

“Mirëpo kjo tash kthehet në padrejtësi ndaj këtyre bizneseve dhe ndaj një numri të madh të qytetarëve. Prandaj ne kemi thënë që është paradoksale që të kërkohet respektimi i masave i orarit dhe numrit që në vendimin e fundit thuhet që më shumë se katër persona mund të qëndrojnë në një vend. Dhe kjo është njëfarë lloj hipokrizie e llojit për shkak se nëse fton për sundim të ligjit atëherë në të njëjtën kohë po e shkel ligjin”.

“Ne kemi kërkuar që mbi këtë bazë që në momentin që kemi numra të menaxhueshëm dhe pres që në fund të javës ditën e premte të ketë lirim të masave të caktuara së paku të hiqet ora policore dhe të zgjatet orari i punës dhe të bëhet me e lehtë jeta e qytetarëve”, ka thënë Rukiqi, për EO.

Ai ka përmendur edhe rastet ku qytetarëve ju bëhet thirrje që pas orës 20:00 të rrinë në shtëpitë e tyre, përderisa një grup i caktuar qytetarësh ftohen në tubime politike.

“Me rëndësi është që një grup i qytetarëve dhe bizneset janë të diskriminuara për shkak se një pjesë e madhe e këtyre vendeve që shfrytëzohen për tubime politike nuk kanë punuar asnjë ditë gjatë këtij viti pikërisht në emër të masave për të parandaluar përhapjen e pandemisë”, ka përfunduar ai./Insajderi.com