Rumani vs Shqipëri nuk do të luhet vetëm në fushën e lojës. Dueli final në Grupin A që mund të përcaktojë një prej ekipeve që do të kalojë në raundin tjetër të Europianit ka nisur nëpër zyra. Federatat e dy vendeve kanë hapur thesin dhe duan të motivojnë në maksimum futbollistët e tyre për të hedhur hapin drejt historisë.
Federatat e të dyja skuadrave do të përfitojnë afro 10 milionë euro nga UEFA në rast se arrijnë të kualifikohen mes 16 skuadrave më të mira të kontinentit. Këtë shumë kanë vendosur ta ndajnë edhe me futbollistët dhe stafin. Rumania ka premtuar 2,5 milionë euro premio në rast kualifikimi, ndërsa Shqipëria 2 milionë.
Që në momentin kur Kombëtarja shqiptare fitoi të drejtën për të luajtur në kompeticionin prestigjioz në Francë, Komiteti Ekzekutiv hartoi një plan premiosh për ekipin. Aty u parashikua rrugëtimi i Shqipërisë deri në finalen e këtij kompeticioni dhe u vendosën shifra të ndryshme për çdo hap pozitiv që do të bënin kuqezinjtë e Xhani De Biazit.
Pak kohë përpara se të niseshin për në Francë, menaxheri i Kombëtares, Alban Bushi, e ka konfirmuar diçka të tillë dhe ka thënë se në rast kualifikimi Shqipëria do të ketë në dispozicion 2 milionë euro premio. Në dy ndeshjet e para kuqezinjtë nuk morën asnjë pikë dhe ishin të pafat, ndërsa një fitore me Rumaninë mund të rezultojë shumë e rëndësishme për fatin e kualifikimit.
Për ta motivuar skuadrën dhe stafin, edhe Rumania përdor të njëjtën gjë përpara ndeshjes me Shqipërinë. Mediat rumune bëjnë me dije se janë ofruar 2.5 milionë euro në rast se skuadra e tyre do të kualifikohet për në raundin tjetër të këtij kompeticioni.
Duket se betejën e parë e kanë fituar rumunët, sepse premioja e tyre është më e lartë se ajo e Shqipërisë, por fusha e lojës do të japë verdiktin final. Rumania vjen në këtë sfidë me 1 pikë, ndërsa Shqipëria nuk ka shënuar ende asnjë gol në Europian. Ndeshja mes Rumanisë dhe Shqipërisë do të luhet në stadiumin e Lionit, në orën 21:00./Panorama